2007-12-16 13:03:47

Sot u kremtua Shën Adelajdia.


(16.12.2007 RV)Emri Adelajde, shumë i përhapur në Shqipëri, ku ka marrë trajtën e shkurtuar Lajde e Adela, vjen nga gjermanishtja e lashtë dhe do të thotë “bijë bujare”.
Adelajdia lindi në vitin 931. I ati, Rudolfi, ishte mbreti i Borgonjës, e ëma, Berta, e bija e Lotarios, mbretit të Italisë. Si mbeti e vejë mbas tri vjet martese të lumtur, Adelajdia u persekutua e u burgos nga Berengari II i Friulit, që kishte shtënë në dorë mbretërinë e Italisë, vetëm sepse nuk pranoi të martohej me të birin. U lirua nga Ottoni I, me të cilin u martua e pati tre fëmijë. Ndërmjet tyre, Otonin II. Grua me aftësi të rralla intelektuale, Adelajdia mori pjesë gjallërisht në drejtimin e shtetit. Në vitin 962 papa Gjoni XII e kurorëzoi së bashku me të shoqin, Otonin I. Pas vdekjes së Otonit, kaloi përsëri një periudhë tepër të vështirë, për shkak të të birit, Otonit II dhe së resë, Teofanisë. Nga viti 983 i mori në dorë frenat e shtetit si kujdestare e nipit të mitur, Otonit III. Mbretëroi me urti të jashtzakonshme, duke i kushtuar vëmendje të dorës së parë nevojtarëve. U lidh kështu me lëvizjen e reformës së Klunit, posaçërisht me abatët Maiolo e Odilone. Ndërtoi kisha e kuvende, ndihmoi me të dyja duart të gjithë njerëzit e kishës që i drejtoheshin për të kërkuar mbështetje, derisa u tërhoq në kuvendin benediktin të Selcit në Strasburg, që e kishte themeluar vetë, ku u përgatit për një vdekje të shenjtë. Mbylli sytë më 16 dhjetor të vitit 999. Nisi të nderohej si shenjte në Alsasë shumë më parë se të shpallej shenjtore nga Urbani II në vitin 1097. Megjithatë emri i saj nuk përfshihet në Martiriologun Romak. Jetën e Shën Adelajdes e shkroi Abati Odilone, i cili e njohu nga afër Shenjtoren.







All the contents on this site are copyrighted ©.