2007-12-16 13:03:33

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(16.12.2007 RV)RealAudioMP3 Sot, e Diela III e Kohës së Ardhjes, u përkujtuan edhe Shën Davidi mbret e profet dhe Shën Adelajdia perandoreshë.
Hyji deshi të bëhej njeri, duke hyrë në historinë konkrete. Gjenealogjia e gjatë e fisit të Jozefit na dëshmon se Zoti i përket popullit hebraik e mbarë njerëzimit. Këtë na kujton edhe liturgjia e së hënës, kur do të kremtohen Shën Danieli profet; shenjtorët Anania, Azaria e Mizaeli; Shën Gjoni i Matës, meshtar, themelues i Trinitarëve dhe Shën Gjaçinti Kormié, meshtar dominikan.
Liturgjia e festës së Shën Malakisë profet e të Shën Gacianit ipeshkëv i Tur, të martën e ardhshme, na fton të kundrojmë Engjëllin e Tënzot i cili nuk ia kumton lindjen e Mesisë vetëm Marisë, por edhe Jozefit, duke e ftuar të mos kishte frikë, por t’i besonte plotësisht planeve misterioze të Hyjit.
Edhe Xakarinë, ashtu si Jozefin, Engjëlli i Zotit e pati ftuar të mos kishte frikë e të mos dyshonte se, ashtu në moshë të shtyrë, siç ishin, ai e gruaja e tij, do të kishin një djalë. Për Zotin s’ka asgjë të pamundur! Këtë na kujton, të mërkurën, festa e Papëve Shenjtër Urbanit dhe Anastasit.
Të enjten është festa e Shën Filogonit ipeshkëv. Liturgjia e së kremtes na kujton një kumt tjetër të Engjëllit të Zotit. Këtë herë është për Marinë: edhe asaj i drejtohet ftesa të mos trembet as mos të çuditet nga mrekullitë që kryen para syve të saj Zoti.
Krishti është shëlbuesi i vërtetë i njerëzimit e Maria ua dhuroi të gjithë atyre që duan e dinë ta presin në zemër. Ky është reflektimi që na sjell në mend, të premten e ardhshme, festa e Shën Pjetër Kanizit, meshtar jezuit e doktor i Kishës dhe e Shën Mikesë Profet.
Java mbyllet, të shtunën e ardhshme, me festën e Shën Françeska Kabrinit, virgjër, themeluese e misionareve të Zemrës së Krishtit. Liturgjia e së kremtes së saj na kujton se Zoti vijon të bëjë mrekulli gjithnjë e për të gjithë, por njeriu i përvujtë është i aftë ta pranojë dhuratën e Hyjit.Me të dielën IV të Kohës së Ardhjes, Krishti troket në portat e shtëpive e të zemrave tona: të nesërmen është Nata e Krishtlindjes!







All the contents on this site are copyrighted ©.