2007-12-14 18:40:36

Udhës së Betlehemit.


(14.12.2007 RV)RealAudioMP3 Historiku i Shpellës së Betlehemit në Vatikan
Duke ecur së bashku Udhës së Betlehemit, e vërejmë se atmosfera e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri ka filluar tashmë të ndjehet kudo: nuk e kemi fjalën për vitrinat e dyqaneve; kur flasim për atmosferën e festës së madhe, kemi parasysh "vitrinat e shpirtit", nismat e paqes e të drejtësisë, të bamirësisë e të dashurisë së krishterë e, natyrisht Shpellat e Betlehemit e Bredhat e Krishtlindjes. Takimin e sotëm po ia kushtojmë Shpellës së Betlehemit në Vatikan.
Kujtojmë se tashmë Ndërtimi i Shpellës tradicionale të Betlehemit në Sheshin e Shën Pjetrit ka filluar prej kohe, në sa dje u paraqit në Sallën vatikanase të Shtypit.
Tradita filloi që në vitin 1982, sipas dëshirës së shprehur nga Papa Gjon Pali II. Që atëherë, në përkujtim të Lindjes së Zotit, në këmbët e Obeliskut të Vatikanit e në kornizën madhështore të shtyllnajës së Berninit, ngrihet çdo vit një Shpellë e re Betlehemi, sipas modeleve marrë nga kryeveprat e pikturës ose të letërsisë botërore kushtuar ngjarjes më të madhe të historisë së njerëzimit: Mishërimit të Zotit. Për realizimin mendon Komisioni Papnor për Qytet-Shtetin e Vatikanit.
Elementet kryesore janë vetë Shpella, që mund të jetë edhe kasolle, në mes të së cilës është grazhdi ku vendoset Foshnja Hyjnore. Në të dy anët e Krishtit Fëmijë rrijnë Zoja e Bekuar, Shën Jozefi, kau e gomari, ndërsa përjashta, barinjtë, bareshat, delet, qëngjat, Kryeengjëlli Gabriel, tre Mbretërit dijetarë; nën këmbët e tyre shtrihet qilimi i myshkut, që në Shqipëri njihet me emrin bar-betlehemi, përmbi ta, qielli plot me yje, ndërmjet të cilëve shkëlqen Kometa, ylli që u tregoi rrugën tre Mbretërve.
Në Shpellën e Betlehemit në Vatikan, vendosen çdo vit 14 figura kryesore, që lëvizen në pozicione të ndryshme, pa cënuar traditën françeskane. 9 nga shtatoret u realizuan që më 1842 nga Shën Vincenzo Paloti, ndërsa 5 u shtuan gjatë vitesh.
Betlehemi vendoset në një sipërfaqe prej rreth 240 metrash katrore në zemër të Sheshit të Shën Pjetrit.
Po, të rikthehemi tek Shpella e sivjetme e Betlehemit në Vatikan. Skena e Lindjes së Krishtit, që do të ketë 10 personazhe me madhësi natyrore të skalitura në Val di Fieme, katër engjëj të ardhur nga Meksika dhe shtatoret e Shën Vinçenc Palotit - sivjet e frymëzuar nga Ungjilli sipas Mateut - na çon në shtëpinë e Jozefit, në Nazaret ku, sipas rrëfimit ungjillor: “Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri si e kishte urdhëruar Engjëlli i Zotit: e mori Marinë në shtëpi të vet. E pa pasur marrëdhënie martesore me të, ajo lindi djalin, të cilit ia ngjiti emrin Jezus”.
Skena e sivjetshme e Shpellës së Betlehemit në Vatikan na kujton mjediset palestineze me arkitekturën e tyre tipike; në të djathtën është vendosur punishtja e zdrukthëtarit Jozef, me veglat e mjeshtrisë; në të majtën, një bujtinë. Është simbol i jetës së përditshme, i vënies ballë për ballë të jetës materiale me atë shpirtërore, por të kujton edhe ikjen e Marisë e të Jozefit në Egjipt. Një burim uji, pastaj, simbol i pastërtisë e i gurrës së jetës, ndërsa zjarri i ndezur në furrën e bujtinës, është simbol i dritës që fiton mbi errësirën, por edhe i dritës e i forcës që vijnë nga Zoti. Tri nga dhjetë shtatoret që do të pasurojnë skenën e Lindjes së Krishtit, realizuar nga Shoqëria e miqëve të Shpellës së Betlehemit” të provincës së Trentos, do t’i dhurohen Selisë së Shenjtë.
Shpellat më të bukura të Val di Fiemes do të ekspozohen, nga 18 dhjetori 2007 deri më 2 shkurt 2008, në Krahun e Karlit të madh në Vatikan.Kujtojmë se Shpella e Betlehemit është shenjë e besimit në Zotin që vjen të banojë ndërmjet nesh, por edhe element i kulturës së krishterë, prandaj pa të nuk mund të kuptohet solemniteti i Mishërimit të Krishti, Zotit tonë! E vogël ose e madhe, e thjeshtë apo artistike, Shpella e Betlehemit përbën një simbol tepër shprehës të Krishtlindjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.