2007-12-14 18:35:54

Mbi Notën doktrinore, të dëgjojmë komentin e drejtorit tonë të përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi:


(14.12.2007 RV)RealAudioMP3 “I mjeri unë, në se nuk do ta predikoja Ungjillin!” Këto fjalë të fuqishme të Shën Palit vijojnë të jehojnë edhe sot në zemrën e çdo besimtari të vërtetë, që mahnitet e pushtohet nga dashuria e Krishtit e dëshiron ta komunikojë dhantinë që ka marrë. Është pasojë e natyrshme e fesë së krishterë, oferta e pasionuar e vlerës më të madhe e më të bukur që mund të ketë njeriu në jetë, të cilën nuk mund ta mbajë vetëm për vete, pa u treguar vërtetë egoist. Ofertë, pra, jo imponim ose detyrim, ofertë e bërë në liri e për lirinë, e bërë për dashuri, për dashuri të Krishtit e të tjerëve. E dashuri ka vetëm atje ku ka liri!
Ky është kuptimi i Notës mbi ungjillëzimin, publikuar nga Kongregata për doktrinën e fesë, nënshkruar nga Papa – jo rastësisht – më 3 dhjetor, në festën e Shën Françesk Saverit, misionarit më të madh të epokës moderne.
Nota dëshiron të na çlirojë nga një druajtje e papërligjshme, që mund të na shtyjë të mendojmë se kumtimi i Ungjillit mund të jetë ndërhyrje pa takt në jetën e të tjerëve, sikur njohja ose jo e Jezu Krishtit të ishte diçka krejt indiferente për jetën. Jo, nuk është indiferente, as për ne e as për të tjerët, e në të vërtetë, në se kumtimi ynë duhet të jetë i besueshëm, nuk do të jetë kumtim vetëm me fjalë, por edhe me dëshminë e jetës, madje mund të themi, me shenjtërinë e saj. Këtë pasion të kumtimit për dashuri të Krishtit, natyrisht nuk e kanë vetëm katolikët, por gjithë të krishterët e vërtetë, prandaj edhe është një nga shtytjet më të fuqishme të dëshirës së thellë për bashkimin e të gjithë të krishterëve.Na u ofrua një dokument i bukur në këtë Kohë të Ardhjes. Edhe ne duhet t’i përgatisim udhët për ardhjen e Zotit!







All the contents on this site are copyrighted ©.