2007-12-14 17:11:39

Evropa gati të dërgojë misionin e saj në Kosovë


(14.12.2007 RV)Kosova në qendër të tryezës së bisedimeve në Këshillin e Evropës, që u mbajt sot në Bruksel. Krerët e shteteve dhe të qeverive evropiane nuk deshën të përballonin që sot çështjen e pavarësisë së Kosovës. Pritet që të zhvillohet më parë mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, më 19 dhjetor, ku do të marrin pjesë edhe presidenti e kryeministri i Kosovës. Në këto momente, vendet e Këshillit të Sigurimit nuk kanë marrë akoma vendim për t’i dhënë ose jo fjalën presidentit Fatmir Sejdiu. Hipoteza është kundërshtuar nga Serbia e Rusia, të cilat, duke cituar rezolutën 1244 të OKB-së, vënë në dukje se autoriteti ndërkombëtar i Prishtinës, që mund ta marrë fjalën në Këshillin e Sigurimit është vetëm UNMIK-u. Nga ana tjetër, sipas një neni të rregullores, Këshilli i Sigurimit mund të vendosë që t’i japë fjalën përfaqësuesit të çdo vendi, që ka informacione të rëndësishme për çështjen e trajtuar.
Sot, në dokumentin përfundimtar, Këshilli i Evropës nuk përmend fjalën “Pavarësi” dhe thekson se Kosova “është një rast sui generis, që nuk përbën precedent”. Krerët e shteteve e të qeverive konfirmuan se duan të ecin përpara me kujdes dhe pa u ngutur. Bashkimi Evropian përgatitet për të dërguar misionin e vet në Kosovë, vetëm nëse ky mision kërkohet e do të jetë i nevojshëm. Për Serbinë, sipas politikës së “bukës e kërbaçit”, parashikohet një përshpejtim i praktikave për integrimin evropian, duke përfshirë edhe dhënien e statusit të kandidatit, që akoma nuk e ka Kroacia, për shembull. Nëse kryeministri danez, Razmusen theksoi se duhet krijuar një kornizë e përbashkët evropiane për njohjen e pavarësisë së Kosovës, Qipro akoma e kundërshton atë fuqimisht.







All the contents on this site are copyrighted ©.