2007-12-14 18:35:35

Benedikti XVI delegacionit të Val Badisë, që i dhuroi Vatikanit Bredhin e Festave: “Të ruhen traditat e Krishtlindjes, për t’iu kundërvënë simboleve të konsumizmit.


(14.12.2007 RV) RealAudioMP3 “Bredhi i Krishtlindjes si shenjë e jetës dhe e përshpirtërisë popullore, është simbol që duhet ruajtur, në një shoqëri e cila ka prirjen të zgjedhë simbolet e konsumizmit”. Me këto fjalë e priti sot Papa delegacionin e Val Badisë, zonës së gjelbëruar të Trentino- Alto Adigjes, në pyjet e së cilës u pre bredhi monumental i Krishtlindjes, përuruar sot pasdite në Sheshin e Shën Pjetrit.
“Ky bredh, i prerë pa dëmtuar jetën e pyllit, i zbukuruar këndshëm, - u kujtoi Benedikti XVI miqëve të dashur- do të rrijë pranë Shpellës së Betlehemit deri në përfundim të festimeve të Krishtlindjes, për t’u admiruar nga shtegtarët e shumtë që do të vijnë këto ditë në Vatikan nga të katër anët e botës. Simbol kuptimplotë i Lindjes së Krishtit, sepse me gjethet gjithnjë të blerta na kujton jetën që nuk vdes, bredhi është edhe simbol i përshpirtërisë popullore të Luginës suaj”.
Këtë theksoi Papa e në vijim porositi:
“Miq të dashur, Bredhi dhe Shpella e Betlehemit kanë elemente tipike të asaj atmosfere të Krishtlindjes, që bën pjesë në trashëgiminë shpirtërore të bashkësive tona. Është atmosferë feje e gëzimi në familje, të cilën duhet ta ruajmë në shoqëritë e sotme, ku nganjëherë të krijohet përshtypja se mbisundon gara e konsumizmit, që i shtyn njerëzit të kërkojnë vetëm vlerat materiale. Krishtlindja është festë e krishterë dhe simbolet e saj – Shpella e Betlehemit e Bredhi i zbukuruar me dhurata – na kujtojnë posaçërisht misterin e mishërimit e të Lindjes së Krishtit, Mbretit të Universit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.