2007-12-13 17:33:33

Udhës së Betlehemit


(13.12.2007 RV)RealAudioMP3 Gojëdhëna e Shpellës së Betlehemit bëhet histori…
Shpella e Betlehemit simbolizon skenën e lindjes së Krishtit, që realizohet me shtatore të vogla, përgatitur me materiale të ndryshme. Vendoset ndër shtëpi e ndër Kisha ndërmjet Krishtlindjes e Ujit të Bekuar.
Kjo traditë filloi në vitin 1283 me veprën e Arnolfo di Kambio, i cili i skaliti shtatoret e personazheve kryesore në dru. Shpella e parë e Betlehemit mund të soditet edhe sot e kësaj dite në bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe. Që në atë kohë e deri në vitin 1400, artistët nisën të modelojnë shtatore në dru e në terrakotë. I vendosnin para një pëlhure të pikturuar, e cila paraqiste pejzazhin që përbënte sfondin e skenës së Lindjes së Krishtit. Shpella e Betlehemit bëhej në Kishë në periudhën e Krishtlindjes. Djepi i një veprimtarie të tillë artistike ishte krahina italiane e Toskanës, por shumë shpejt ky zakon u përhap nga Karli III Bourbon në Mbretërinë e Napolit dhe në shtetet tjera italiane. Në vitet 1600-1700 artistët napoletanë i dhanë Shpellës së Betlehemit një pamje origjinale, duke e vendosur skenën në pejzazhin kampan e duke i shtuar shtatore, që paraqisnin personazhe nga fisnikëria vendase, nga borgjezia e nga populli. Për herë të parë, ata filluan t’i paraqesin personazhet e Shpellës së Betlehemit duke kryer punët e tyre të përditshme ose në çastet e prehjes, ndër taverna, në tryezën e gostive, në ballo ose në serenata. Madje nisën të punonin shtatore lëvizëse, duke përdorur për këtë qëllim drurin dhe telin, për të krijuar përshtypjen e një realiteti të gjallë. Personazhet i veshën me rrobat e epokës dhe i pajisen me veglat e mjeshtrisë ose me sende të tjera, në përkim me vendin që paraqitej. E këtë e bënë për ta realizuar sa më me vërtetësi skenën, që të dukej sikur ngjarja ndodhte atë ças. I shtuan, prandaj, edhe mjedise tipike napoletane: pejzazhe të qytetit ose të katundeve, tregje, kasolla, banesa, taverna, rrenoja të lashta tempujsh paganë. Në realizimin e skenave të tilla jepnin kontributin e tyre zejtarë të ndryshëm, disa prej të cilëve punonin në pallatin mbretëror ose ndër shtëpitë e fisnikëve, siç e tregojnë veshjet e mrekullueshme, të qindisura me ar e gur të çmuar, me të cilat vishen Mbretërit Dijetarë ose personazhe të tjera të spikatura, veshje që shpesh herë qindiseshin ndër punishtet mbretërore të Shën Leuçit. Në këtë periudhë shquhen edhe artistët ligurë në Gjenovë si dhe ata sicilianë, të cilët gjithsesi frymëzoheshin nga mjeshtrat napoletanë, me pak përjashtime, si në rastin e përdorimit të terrakotave të pikturuara.
Gjithnjë në vitet 1700 u përhap Shpella mekanike e Betlehemit, që u realizua për herë të parë nga Hans Schlottheim në vitin 1588 për Kristianin I të Saksonisë. Përhapja e traditës në radhët e popullit vërehet duke u nisur nga vitet 1800, kur çdo familje nisi të bëjë Shpellën e vet të Betlehemit, duke përsëritur kështu simbolikisht Lindjen e Krishtit në përkim me zakonet e kohës, me shtatore të punuara në terrakotë, në allçi e materiale të tjera, që shiteshin nga zejtarët në treg.
Në Romë familjet e rëndësishme bënin gara ndërmjet tyre për të ndërtuar Shpella sa më të mëdha Betlehemi, me pejzazhe tipike romake, të cilat vizitoheshin nga bashkëqytetarët e turistët. Shpella më e famshme e Betlehemit, ndërtuar në këtë kohë në Romë, ishte ajo e familjes Forti, ngritur në majë të Kullës së Anguilarës. Vijnë pas saj Shpella e familjes Butarelli në rrugën e Gjenovezëve, që paraqiste Shpellën e Shën Françeskut në Greccio,; Shpella e Atë Bonellit në Kishën e Apostujve, pjesërisht mekanike, me liqenin e Tiberiades plot varka si dhe qytetet e Jeruzalemit e të Betlehemit, etj etj.
Më pas u bë zakon që pranë Shpellës të stolisej edhe Bredhi i Krishtlindjes. E zakoni i bukur për të ndërtuar Shpellën e Betlehemit vijon të lulëzojë edhe sot, në sajë të impenjimit të meshtarëve e të laikëve, të cilët kanë themeluar shoqatën “Miqtë e Shpellës së Betlehemit”, kanë krijuar dhe muzetë përkatëse e hapin vazhdimisht ekspozita të llojit. Eshtë e famshme Ekspozita “100 Shpella Betlehemi” nga mbarë bota, që hapet çdo vit në Sallat Bramante në Romë si dhe muzeu ndërkombëtar i Shpellave të Betlehemit në Greçio, atje ku u sajua Shpella e parë nga Shën Françesku.
Ndër të gjitha sheshet kryesore të vendeve katolike, vendosen Shpella Betlehemi me madhësi natyrore, duke krijuar atmosferën e ngjarjes së madhe që e ndau më dysh historinë e njerëzimit e që hapi epokën e re shëlbimit, atë që quhet nga të gjithë: Mbas Krishtit! Sot realizohen Shpella Betlehemi rreth të cilave vendosen personazhe të ndryshme, deri edhe udhëheqësit politikë të kohës. S’është çudi, prandaj, që të shikojmë si personazhe presidentë e kryeministra, njerëz me famë e pa famë. Është edhe kjo një traditë: aktualizimi i Shpellës së Betlehemit.E në se shikoni Shpella të tilla, mos i kërkoni më kot ndër to burrat shqiptarë të shtetit ndërmjet politikanëve të botës. Nuk janë pranuar ende në asnjë Shpellë Betlehemi.







All the contents on this site are copyrighted ©.