2007-12-13 18:46:25

Nënshkruhet në Lisbonë Traktati i reformës së BE-së. Intervistë me Pëtering


(13.12.2007 RV)RealAudioMP3 Në Lisbonë të Portugalisë u nënshkrua sot Traktati i reformës së Bashkimit Evropian, i miratuar në tetor. Normat e reja që do të qeverisin Evropën u firmosën në Manastirin historik të Jeronimos, në breg të lumit Tago. Traktati do të hyjë në fuqi më 1 janar 2009, pas ratifikimit nga 27 shtetet e Bashkimit Evropian dhe do të njihet si Traktati i Lisbonës. Për rëndësinë e këtij dokumenti, flet në mikrofonin tonë presidenti i Europarlamentit, Hans Gert Pëtering:
Traktati i reformës është shumë i rëndësishëm, sepse sjell më shumë demokraci, i jep një rol më të madh parlamentit dhe parashikon marrjen e vendimeve me shumicë votash në Këshill. Ka një nen, që është neni 51, i cili flet për Kishat dhe bashkësitë fetare. Parashikohet që Kishat të kenë një dialog të veçantë me institucionet evropiane si edhe që të mbrohen në procesin e integrimit evropian. Kjo është shumë e rëndësishme për fenë e krishterë, por natyrisht edhe për fetë e tjera.
Një shembull: problemi i Kosovës. Mendoni se Evropa është e bashkuar përsa i përket statusit të saj?
Besoj se po lëvizim në drejtimin e duhur dhe shpresoj se në fund të fundit do të gjejmë një zgjidhje për Kosovën. Ambicja për një Bashkim Evropian unitar ndaj çështjes së rëndësishme të Kosovës është edhe tani shumë e fortë.
Dje në Strasburg krerët e tre institucioneve evropiane shpallën Kartën e të drejtave të Bashkimit Evropian. Ju jeni katolik. Sipas jush, vlerat e krishtera janë paraqitur mirë në Kartë?
Jam plotësisht i bindur se vlerat e krishtera janë pasqyruar në Kartë, sepse aty përmendet dinjiteti i njeriut, parimi i solidaritetit dhe i ndihmës aty ku ka nevojë, dinjiteti i të moshuarve, i fëmijëve. Pra, gjej shumë vlera të krishtera në Kartë.







All the contents on this site are copyrighted ©.