2007-12-12 18:18:10

Udhës së Betlehemit.


(12.12.2007 RV)RealAudioMP3 Gojëdhëna françeskane e Shpellës së parë të Betlehemit
Gjovani Velita, pronar i Greçios (një fshat në veri të Lacios, pranë Asizit) ishte shumë i pasur e tepër zemërbardhë. Kur shkuan e i lypën një copë pyll, ku Shën Françesku dëshironte të kalonte verën, dhuroi gjithë kodrinën.
Po afrohej vjeshta... Shenjti dërgoi e thirri bamirësin e vet. Donte t’i fliste...
Burri i mirë u ngjit deri atje ku jetonte Shën Françesku.
- Ju duhet të më ndihmoni - i tha Shenjti, sapo e pa, duke e tërhequr në fund të shpellës, ku jetonte dhe ku lutej. – Ju duhet të më ndihmoni për të realizuar idenë e shkëlqyer që më ka ardhur ndër mend. Do të dëshiroja të ndërtoj skenën e lindjes së Krishtit... Dhe i foli një copë herë të madhe, me pamjen e një fëmije që e di se e duan e se nuk ia kundërshtojnë dëshirat.
Gjovani ishte aq i prekur, sa mend qante nga emocioni. Dhe premtoi. Deri në Kërshëndella kishte akoma kohë. E ai do të përgatiste gjithçka, gjithçka...
Dhe Krishtlindja erdhi...
Akoma s’kishte trokitur mesnata, kur një turmë e madhe njerëzish qe grumbulluar mbi kodrën e Greçios. Në hyrje të shpelles, fretërit luteshin në gjunjë, me qirinj të ndezur ndër duar. Në mes tyre ishte Gjovani Velita, me sytë plot me lot nga emocioni. Ndjehej disi i shqetësuar. Kishte rregulluar gjithçka sipas porosisë së Shën Françeskut. Kishte vendosur në shpellë një ka, një gomar, të gjallë, si në shpellën e Betlehemit, atë natë të paharrueshme. Po grazhdi, me kashtën e përgatitur për të pritur Foshnjën Hyjnore, ishte bosh.
-Ndoshta - mendonte Gjovani, i shqetësuar - ndoshta Shenjtit do t’i prishet qejfi nga kjo skenë, në të cilën mungon gjëja kryesore…
Një meshtar nisi të kremtonte Meshën dhe Shën Françesku - i përvutjë si gjithmonë, i shërbente. Kur meshtari vendosi në grazhd bukën dhe verën, mbi kashtë u pa një foshnje e zbehtë, që dukej sikur flinte, zhytur në gjumë të thellë. Meshtari u tërhoq, duke lëshuar një britmë habie. Sh’Françesku përkundrazi, u afrua...
Duke u dridhur nga ëmbëlsia, mori ndër krahë plot dashuri, krijesën e përgjumur. Posa u zgjua, një ngjyrë trëndafili ia gjallëroi gjymtyrët e brishta. I buzëqeshi Shenjtit, ia përkëdheli fytyrën kockë e lëkurë, zhgunin e vjetër...
Ia kaloi gishtërinjtë e vegjël, të njomë si petalet e luleve, nëpër mjekër.
Pastaj Shenjti u duk në hyrje të shpellës. Ngriti ndër krahë foshnjen, me të vërtetë të gjallë, përpara turmës së mahnitur. Shkëlqente nga një gëzim i thellë. I foli Jezusit gjatë, me një dashuri të pakufishme. Kështu zgjoi dashurinë për Jezusin edhe ndër zemrat e njerëzve, në të cilat kësaj dashurie i merrej fryma prej veseve dhe pasioneve të trishtueshme.
Në natën e bekuar pishtarët flakëronin nga era. Shkëndijat e tyre të zjarrta, ngjiteshin deri në qiell.
E shkëmbijtë nga larg përcillnin jehonën e këngëve të ëmbla, si në Betlehem: “Lavdi i qoftë Zotit në qiell e paqe mbi tokë njerëzve vullnetmirë!”
Hosana... Hosana...!Kështu, sipas gojëdhënës, Shën Françesku ndërtoi Shpellën e parë të Betlehemit...








All the contents on this site are copyrighted ©.