2007-12-12 18:14:05

Kisha si mister i bashkimit të thellë me Hyjin, në qendër të audiencës së përgjithshme, kushtuar Shën Paolinit të Nolës.


(12.12.2007 RV)RealAudioMP3 Dëshmia e Shën Paolinit të Nolës na ndihmon ta ndjejmë Kishën si ‘sakrament i bashkimit të thellë me Hyjin’: ky është reflektimi që Benedikti XVI u ofroi besimtarëve të mbledhur sot paradite në Sallën e Palit VI në Vatikan. Në katekizëm Papa u ndalua pikërisht tek figura e këtij Shenjti, apostull shembullor e mik i personaliteteve të mëdha të Kishës së kohës, si Ambrozi e Agostini, që jetoi ndërmjet shekullit IV e V.
Ipeshkëv me zemër të madhe, ai i qëndroi shumë pranë popullit të tij në rrethanat e trishtuara të pushtimeve barbare: kështu e përshkroi Papa figurën e Shën Paolinit i cili, para se të ishte ipeshkëv, qe murg e meshtar dhe në vijim përmblodhi shkurtimisht jetën e Shenjtit me origjinë nga Bordoja e Francës. Para se kthehej në fenë e krishterë – shpjegoi Ati i Shenjtë, nisi një karrierë të shkëlqyer politike, ndonëse akoma tepër i ri. E pikërisht në këtë periudhë, duke shkuar tek varri i Shenjtit Martir Feliçit, hiri hyjnor bëri që në shpirtin e tij të bulonte fara e pendesës:
“Ndërsa përpiqej të ndërtonte qytetin tokësor, ai shkonte duke zbuluar udhën drejt qytetit qiellor. Takimi me Krishtin qe vendmbërritja pas një shtegtimi të lodhshëm, të mbjellur me shumë prova. Rrethana të dhimbshme, duke nisur nga humbja e favoreve që gëzonte nga autoritetet politike, e bënë të prekte me dorë sa të paqëndrueshme janë sendet e kësaj bote”.
E një përvojë e tillë e hidhur u thellua më tej nga martesa me fisniken Terasia e nga vdekja e foshnjes së tyre të sapolindur, pas së cilës bashkëshortët vendosën të kalojnë një jetë asketike, duke iu kushtuar plotësisht të varfërve. Në vitin 409 Paolini u bë ipeshkëv i Nolës, kthesë që në kohën e tij pati shkaktuar emocione të thella:
“Kthesa e Paolinit i preku thellë bashkëkohasit. Mësuesi i tij, Ausoni, e ndjeu veten të tradhtuar e i foli ashpër, duke e qortuar, nga njëra anë, për përbuzjen pa pikë kuptimi, të pasurisë e nga ana tjetër, për braktisjen e rrugës së letërsisë, për të cilën kishte talent të veçantë. Paolini u përgjigj se t’ia dhurosh veten të varfëve, nuk do të thotë t’i përbuzësh të mirat tokësore, por t’i përdorësh për një qëllim shumë më të lartë, për të bërë mirë”.
Nga ana tjetër – vërejti Papa – Paolini nuk u largua nga poezia. Ndërroi vetëm burimin e frymëzimit. Tani ishte Ungjilli burimi i këngëve të tij të mrekullueshme, kushtuar fesë e dashurisë, në të cilat historia e përditshme, me ngjarjet e veta të mëdha e të vogla, këndohet si histori e shëlbimit.
Më pas Ati i Shenjtë u ndalua tek teologjia e Paolinit, teologji e jetuar, e mbrujtur me Fjalën e Hyjit, nga e cila buron kuptimi i Kishës si mister i unitetit:
“Teologjia e kohës sonë pikërisht në konceptin e bashkimit gjeti çelësin e afrimit tek misteri i Kishës. Dëshmia e Shën Paolinit na ndihmon ta ndjejmë Kishën, që na paraqet Koncili II i Vatikanit, si sakrament të bashkimit intim me Hyjin e të unitetit të të gjithë gjinisë njerëzore”.
Pas audiencës së përgjithshme Atit të Shenjtë iu paraqit portreti tij zyrtar, i realizuar nga piktorja ruse, Natalia Carkova. Piktura, me përmasa të mëdha (180 cm x 120) e paraqet Benediktin XVI të ulur mbi fronin e Leonit XIII. E njohur si piktore e papëve, Carkova ka realizuar edhe portretet e Papës Luçiani e të Papës Vojtila.







All the contents on this site are copyrighted ©.