Benedikti XVI të rinjve që do të mblidhen në Tezé: shpresa në Krishtin e falja reciproke
janë çelësat për të risjellë paqen mbi tokë.
(12.12.2007 RV)“Vetëm Krishti na jep çelësin e shpresës së vërtetë, shpresë
e cila e tejkalon çdo shpresë të vogël që mund të kemi, sepse na drejton nga e ardhmja,
nga lumturia e amshuar, drejt së cilës ecim çdo ditë personalisht e me Kishën”. Kjo
është zemra e mesazhit që Benedikti XVI i dërgon mijëra të rinjve të cilët, si çdo
vit, përgatiten të marrin pjesë në Takimin e 30-të evropian të lutjes, organizuar
nga Bashkësia e Tezesë. Nga 28 dhjetori 2007 e deri më 1 janar 2008, pjesëmarrësit
në takim do të mblidhen në Palaexpo të Gjenevës për një etapë të re të “Shtegtimit
të besimit mbi tokë”, i cili nisi në vitin 1978 me dëshirën e themeluesit të Tezesë,
Vëllaut Rozhe Shuc.