(11.12.2007 RV)Të dashur miq, po
vijojmë rubrikën tonë ‘Udhës së Betlehemit’, e cila na çon simbolikisht te Shpella
ku lindi Krishti, në sa tashmë shumë prej nesh i kanë ngritur Shpellat në shtëpitë
e veta. Prandaj emisionin e sotëm po ia kushtojmë pasqyrimit në art të Shpellës së
Betlehemit e, sidomos, Shpellës së parë me figura të gjalla, ngritur nga Shën Françeku
në Greçio të Italisë. Lindja e Krishtit bëhet një nga temat kryesore të artit
kishtar që nga fillimi i shekullit IV. Ndërmjet qindra veprave që u realizuan, duke
nisur nga ky shekull, spikasin për vlerat e tyre, paraqitja e Lindjes së Krishtit
dhe adhurimi i Mbretërve në diptikun e shekullit V, me pesë pjesë, realizuar në fildish,
stolisur me gurë të çmuar, që mund të admirohet edhe sot në Katedralen e Milanos;
mozaikët e Kapelës Palatine në Palermo, të Baptisterit të Kishës së Shën Marisë në
Venedik, të Bazilikave të Shën Marisë në Trastevere e Shën Marisë së Madhe në Romë.
Në këtë bazilikë romake, kisha më e vjetër kushtuar Virgjërës Nënë, Shpella e Betlehemit
u realizua me teknikën e afreskut që në vitin 600. U quajt “Sancta Maria ad Praesepem”.
Të krishterët luteshin para kësaj Shpelle me të njëjtin devocion që kishin shtegtarët,
të cilët shkonin me shumicë në Betlehem të Judesë, në shpellën e vërtetë, që konsiderohet
si vendi ku lindi Jezusi e ku, me dëshirë të Shën Helenës (nënës së Perandorit Kostandin)
u ngrit në vitin 326 Bazilika e Lindjes së Krishtit. Në këto vepra, ndër të cilat
ndjehet fuqimisht ndikimi lindor, pikturohen në radhë të parë Shpella, e cila asokohe
përdorej për të mbajtjen e kafshëve, dhe Engjëjt lajmëtarë, ndërsa Maria e Jozefi
pikturohen herë të ngjashëm me hyjnitë, e herë si figura të dorës së dytë, gati-gati
si të mos kishin të bënin fare me ngjarjen që paraqitej. Duke nisur nga shekulli
XIV Lindja e Krishtit pikturohet nga artistët më të famshëm, që e realizojnë në afreske,
piktura, skulptura, qeramikë, argjend, fildish e vetrata, të cilat zbukurojnë Kishat,
banesat e fisnikëve ose të pasanikëve që bënin porosí në mbarë Evropën. Kujtojmë emrat
e piktorëve të shquar Xhoto, Filipo Lipi, Piero dela Françeska, Perugjino, Dyrer,
Rembrandt, Pusë, Zurbaran, Murilo, Korregjo, Rubens e shumë të tjerë. Shpella
e parë e Betlehemit dhe vijimi i traditës Shpella e Betlehemit, siç e shikojmë
të realizuar edhe sot, sipas traditës, nis me Shën Françeskun. Varfanjaku i Asizit
pati dëshirë ta rijetonte si të ndodhte atë ditë, skenën natyrore të Lindjes së Krishtit
në Betlehem. Në vitin 1223, në Greçio, fshat që ndodhet në krahinën italiane të Umbries,
e pasuroi për herë të parë Meshën e Natës së Krishtlindjes me një Shpellë të gjallë
Betlehemi, ngjarje që më pas u pikturua me mjeshtri të rrallë nga Xhoto në Bazilikën
e sipërme të Asizit. Vepra e realizuar nga Shën Françesku u quajt Presepio, ose
Presepe, fjalë latine që do të thotë stallë ose grazhd. Disa studiues italianë e të
huaj mendojnë se nuk ishte Shën Françesku njeriu i parë që u kujtua të ringjallte
skenën e lashtë të Betlehemit. Siç na rrëfen Toma nga Çelano, biograf i Shenjtit,
në vitin 1222 Françesku i kremtoi Këshndellat në Betlehem, ku ndoqi funksionet liturgjike
të lindjes së Jezusit. U mahnit aq shumë, sa, një t’u kthyer në Itali, i kërkoi leje
papës Onori III t’i përsëriste ato skena që kishte parë në lindje - për Këshndellat
e ardhshme. Por Papa, duke qenë se dramat kishtare ishin të ndaluara, e lejoi vetëm
që ta kremtonte Meshën e natës në një shpellë natyrore, në vend që ta kremtonte në
Kishë. Kur erdhi Nata e Shenjtë, te shpella që ishte përgatitur për kremtim, ia behën
fshatarët dhe fretërit me pishtarë të ndezur ndër duar. Dukej sikur kishin zbritur
gjithë yjet e qiellit në tokë. Brënda shpellës që vendour një grazhd i mbushur me
kashtë të freskët e, pranë tij, një ka e një gomar. Françesku, që nuk ishte meshtar,
predikoi me frymëzim të zjarrtë para popullit që ishte mbledhur rreth shpellës. Megjithatë
nuk mund të themi se kjo ishte një Shpellë e vërtetë Betlehemi, siç e shikojmë sot,
domethënë një skenë e Lindjes së Jezusit me tri përmasa, zbukuruar me disa shtatore.
Ishte thjeshtë një Meshë e kremtuar në mënyrë të jashtzakonshme në Shpellë, në vend
që të kremtohej, si zakonisht, në Kishë. Në përkujtim të kësaj ngjarjeje, në
Greçio është ngritur galeria e artit me Shpella Betlehemi, skalitur nga artistë me
famë nga mbarë bota. Mungon akoma një Shpellë shqiptare Betlehemi. Gojëdhënën françeskane
te Shpellës së parë te Betlehemit do ta ndiqni në emisionin e ardhshëm.