2007-12-10 19:14:53

Mijëra vetë në Prishtinë: "Duam pavarësinë"


(10.12.2007 RV)Skadoi sot afati i fundit për të arritur një marrëveshje për statusin e Kosovës. Sipas zëdhënësit të Ekipit të Unitetit, Skënder Hyseni kjo datë shënon edhe fillimin e konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, rreth hapave që duhet të bëjë Kosova në drejtim të shpalljes së pavarësisë, e cila do të realizohet para majit të vitit 2008. Më hollësisht për lajmet nga Kosova, të dëgjojmë Rabije IbrajnRealAudioMP3

Ndërkaq, për Kosovën është diskutuar gjerësisht në mbledhjen e ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, që përfundoi sot në Bruksel. Ajo që kërkohet është një qëndrim i përbashkët mbi të ardhmen e Kosovës. Përfaqësuesi i lartë evropian për Politikën e Jashtme, Havier Solana ka deklaruar se nëse Kombet e Bashkuara do ta shohin të arësyeshme, Bashkimi Evropian është gati të dërgojë në vend një mision civil dhe të disllokojë 1.800 ushtarë. Ndër vendet që nuk duan pavarësinë e Kosovës janë Greqia, Sllovakia, Spanja dhe Qipro. Po është sidomos kjo e fundit, që ngul këmbë më shumë së të tjerat, duke pasur frikë se modeli i Kosovës merret më vonë si shembull edhe nga pjesa turke e ishullit.
E ky argumentim përdoret gjerësisht edhe nga Rusia, përkrahëse historike e serbëve. Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov paralajmëroi se ata që favorizojnë ndarjen e Kosovës nga Serbia duhet t’i vlerësojnë mirë pasojat. Për Lavrovin, dhënia e pavarësisë është dhunim i hapur i së drejtës ndërkombëtare. Serbia nga ana e saj, nuk ka ndërmend ta shkëmbejë Kosovën me integrimin në Bashkimin Evropian, pavarësisht se kjo kërkohet me ngulm nga disa ministra të jashtëm, ndër të cilët italiani Masimo D’Alema. Qëndrimi i njohur u përsërit sot si nga zv.kryeministri serb, Bozhidar Gjeliç, ashtu edhe nga ministri për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, i cili ishte për vizitë në Mitrovicë. Madje, sipas shefit të shtatmadhorisë së ushtrisë së Beogradit, gjeneralit Zdravko Ponosh ekzistojnë plane ushtarake, sipas skenarëve të mundshëm në Kosovë.








All the contents on this site are copyrighted ©.