2007-12-10 19:09:00

Dritë-hijet e Kishës së Japonisë gjatë vizitës ‘ad Limina’ të ipeshkvijve japonezë në Vatikan.


(10.12.2007 RV)RealAudioMP3 Një Kishë shumë e vogël – gjysëm milioni katolikë ndërmjet 125 milionë banorëve, por shumë e respektuar e me rrënjë të thella misionare, e themeluar në shekullin 16-të nga Shën Françesk Saveri. Kjo është Kisha e Japonisë e cila, që sot e gjatë gjithë javës, do të vijojë në Vatikan vizitën ‘Ad Limina’- tek Varret e Apostujve.
Benedikti XVI priti sot paradite grupin e parë të prelatëve japonezë, që filluan t’i flasin Papës për dritat, por edhe për hijet e një vendi, që dallohet sa për funksionimin e mirë të instituteve të formimit të katolikëve, aq edhe për mungesën e thirrjeve të reja për udhën e meshtarisë.
Ndërmjet prelatëve që u takuan sot me Papën, ishin edhe imzot Jozef Atsumi Misue e imzot Jozef Mitsuaki Takami, përkatësisht ipeshkij të Hiroshimës e Nagasakit, qyteteve-simbol të tragjedisë bërthamore të vendit, tradita apostolike e të cilit nuk është plotësisht e qartë. Ajo që dihet me siguri, është se më 15 gusht të vitit 1549, një njeri i veshur me veladon të zi, zbarkoi në Kagoshima, në ishullin Kiushu. Ishte një jezuit, 43 vjeç, me emrin e paracaktuar të hynte në historinë e Kishës universale e asaj japoneze: Françesk Saveri. Shenjti i ardhshëm, që do të vdiste tri vjet më pas, filloi të predikonte Ungjillin në këto vise të largëta e të panjohura, i mirëpritur nga autoritetet e nga populli vendas. Kështu në Japoni hidhej fara e parë e krishtërimit, që do të rritej, pastaj, e vaditur me gjakun e martirëve, për t’u bërë një bimë e vogël, por plot gjallëri, siç është sot. Kujtojmë se në vitin 1597, në Nagasaki u mbytën 26 japonezë të pagëzuar. Martirizimi i tyre në Japoni shënonte fillimin e rrugës së vështirë të krishterimit, që deri në shekullin e kaluar mund të paguhej edhe me jetë.
Me gjithë klimën e dialogut, që nisi të ndjehej menjëherë pas Luftës II Botërore, një nga vështirësitë kryesore të përhapjes së Ungjillit mbetet – si dje, ashtu edhe sot - perceptimi i krishtërimit si fe e huaj nga ana e japonezëve.Këtë na e shpjegon, në mikrofonin tonë, ipeshkvi i Takamatsu-së, imzot Françesk Savier Osamu:

 
“Feja e krishterë erdhi nga jashtë, nga Evropa, e Kisha ka bërë përpjekje t’ia përshtasë kulturës vendase, por nuk ka arritur akoma ta ngulë Ungjillin thellë në tokën japoneze. Kultura japoneze bazohet mbi budizmin, mbi konfucianizmim e mbi shintoizmin. Është kulturë pluraliste, plurifetare, panteistike e prandaj japonezët distancohen nga monoteizmi. Kultura japoneze, lindore, e vlerëson shumë harmoninë e paqen, ndërsa monoteizmi u duket tepër i fortë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.