2007-12-08 18:45:03

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(09.12.2007 RV)RealAudioMP3 Sot, e Diela II e Kohës së Ardhjes, u përkujtuan edhe Shën Huan Diego; Shën Leokadia, virgjër e martire; Shën Siri, ipeshkëv i Pavisë dhe Shën Pjetër Furnie, kanonik rregulltar.

'Ja Zoti ynë po vjen të na shpëtojë! – ky është lajtmotivi me të cilin fillon kjo javë, në ditën e parë të së cilës, të hënën, do të kremtohen Zoja e Loretos, Shën Mauri martir e Shën Gregori III papë. Pritja e Zotit, ashtu si ardhja e tij, janë çështje feje, e në se ne kemi fe, Hyji, me dhuratën e shërimit, do të na bëjë jo vetëm të ecim, por të vrapojmë; jo vetëm të flasim, por edhe të bërtasim, kur është nevoja.

Në liturgjinë e festës së Shën Damazit I papë, të martën e ardhshme, Kisha na kujton se Ati qiellor ka gjithnjë fjalë ngushëlluese për çdo njeri, edhe për ata, të cilët e kanë humbur rrugën që çon drejt Tij.

Zoti na fton të kthehemi në rrugë të drejtë, për të gjetur ngushëllim. E kur e kuptojmë se nuk jemi të aftë ta përballojmë jetën pa ndihmën e Zotit, ai na jep forcë e krahë shqiponjash, për të fluturuar drejt lartësive. Këtë na kujton, të mërkurën, festa e Zojës së Guadalupes dhe e Shën Gjovanës de Shantal.

Të enjten është festa e Shën Luçisë së Sirakuzës, virgjër e martire (shqipëruar Drita) dhe e Shën Aristonit, martir i Portos. Liturgjia e së kremtes na kujton se Zoti është i durueshëm e i pasur me hir. Prandaj njerëzit vijojnë ta kërkojnë në shekuj, por nganjëherë nuk arrijnë ta gjejnë, sepse për ta gjetur, duhet kërkuar ndërmjetësimi i lajmëtarëve të tij, si Shën Gjon Pagëzuesi. Përndryshe njeriu i ngjet atij që duke pasur etje, e kërkon ujin atje ku nuk gjindet.

Në rrjedhë shekujsh Zoti i është dëftuar njerëzve shumë herë e në shumë mënyra, por ata e patën të vështirë ta pranojnë. Shën Gjon Pagëzuesi nuk i bindte, sepse tepër i ashpër, ndërsa Jezusi, pse tepër i butë. Ky është reflektimi që na sjell në mend, të premten e ardhshme, festa e Shën Gjonit të Kryqit, meshtar e doktor i Kishës, karmelitan i zbathur.

Java mbyllet të shtunën e ardhshme, me Shën Valerianin, ipeshkëv në Afrikë e martir, i cili na nxit të meditojmë mbi rëndësinë e mesazhit të Shën Gjon Pagëzuesit, krahasuar nga Krishti me Elinë. E kjo, sepse Shën Gjoni na fton të pendohemi e të kthehemi plotësisht në rrugën e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.