2007-12-08 18:18:16

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: ‘Zoja e Papërlyer, model për të rinjtë, që e kanë humbur aftësinë ta vlerësojnë dashurinë dhe trupin e tyre”.


(08.12.2007 RV)RealAudioMP3 Të rinjtë e sotëm janë jetimë të dashurisë së vërtetë e viktima të mesazheve që i shtyjnë ta konsiderojnë ndjenjën e dashurisë dhe trupin e tyre si mall tregu. Qortimi i Benediktit XVI gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, u shoqërua nga urimi që Zoja e Papërlyer, e cila u kremtua në liturgjinë e sotme, t’u dëshmojë sa i lartë e sa i bukur është plani i Hyjit, që e fton çdo njeri të jetë i shenjtë e i panjollë në dashuri.
Në makrokozmosin e të rinjve të sotëm, mospërlyerja është vlerë e humbur. Të rinjtë nuk e kuptojnë mesazhin e Marisë, ‘Nënës së dashurisë së bukur’, prandaj gjithnjë më shpesh e në moshë gjithnjë më të njomë, e shfrytëzojnë dashurinë, e shesin, përdhunojnë ndjenjat më të bukura e përdhunohen, siç ngjet me shumë fëmijë, për faj të të rriturve pa skrupuj e të mesazheve, sipas të cilave trupi nuk ka shenjtëri që duhet mbrojtur, por kërkesa, që duhen përmbushur.
Është ditë feste, solemniteti i Zojës së Papërlyer, që Papa e Vatikani e quajnë ‘shenjë e sigurtë shprese e ngushëllimi’. Por për Benediktin XVI është edhe rast për një vërejtje të dhimbshme, mbi një farë bote rinore, realiteti i së cilës, i pasqyruar nga kronikat, nuk përkon fare me bukurinë plot shkëlqim të Zojës së Papërlyer:
“Mendoj për të rinjtë e sotëm, të rritur në një mjedis të ngopur me mesazhe që propozojnë modele të rreme lumturie. Këta djem e vajza –tha me keqardhje të thellë Ati i Shenjtë - rrezikojnë të humbasin shpresën e, gjithnjë më shpesh, duken si jetima të dashurisë së vërtetë, që e mbush jetën me kuptim e me gëzim”.
Një duartrokitje e stuhishme u ngrit nga Sheshi, kur Benedikti XVI kujtoi propozimet e Gjon Palit II bërë të rinjve, të cilët i deshi aq shumë, për ta pasur si model ‘ Nënën e dashurisë së bukur’. Prandaj – vijoi Benedikti XVI – nuk mund të mos trishtohesh kur shikon se si të rinjtë e humbasin mahnitjen, magjinë e ndjenjave më të bukura, vlerën e respektimit të trupit, shprehje e njeriut dhe e misterit të tij të pamatshëm.
“Nuk janë të pakta përvojat që, për fat të keq, tregojnë se adoleshentët, të rinjtë e deri fëmijët, kthehen në viktima që bien lehtë pre e zvetënimit të dashurisë, të gënjyer nga të rriturit pa skrupuj të cilët, duke mashtruar vetveten e ata, i joshin në udhën pa krye të konsumizmit: edhe realitetet më të shenjta bëhen kështu mall tregu; e kjo gjithnjë më shpesh, që para adoleshencës”.
Për këto të rinj të joshur nga mesazhe kaq të rrezikshme e për mbarë Kishën, Papa iu lut Marisë t’ia ndriçojë njerëzimit udhën që çon tek Jezusi, posaçërisht në këtë Kohë të Ardhjes. E, në Zënien e saj pa faj – pohoi Papa – Maria nuk është vetëm Nënë e njerëzimit, por edhe Nënë e shpresës:
Asaj ia drejtojmë plot me fe lutjen tonë, në sa nisemi simbolikisht për shtegtim në Lurdë, ku pikërisht sot filloi një vit jubilar me rastin e 150-vjetorit të dukjeve të saj në Shpellën e Masabielës. Zoja e Papërlyer “ylli i detit”, ndriço mbi ne e na prij në shtegtimin tonë!”- u lut Ati i Shenjtë.
Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa i përshëndeti mijëra shtegtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit në pesë gjuhë dhe i ftoi të marrin pjesë në takimin e pasdites për homazhet tradicionale te Shtatorja e Zojës së Papërlyer në Sheshin romak të Spanjës.








All the contents on this site are copyrighted ©.