Benedikti XVI: Lutja Zojës së Papërlyer në Sheshin e Spanjës (Tekst i plotë).
(08.12.2007 RV)Të dashur vëllezër e motra, Në një takim, tashmë tradicional,
ndodhemi këtu, në Sheshin e Spanjës, për t’i dhuruar lulet tona Zojës së Bekuar, në
ditën kur Kisha mbarë kremton festën e Zënies së pafaj të Saj. Duke ecur në gjurmët
e paraardhësve të mi, bashkohem me ju, besimtarë të dashur të Romës, për t’u gjunjëzuar
me dashuri bijnore në këmbët e Marisë, e cila që prej pesëqind vjetësh vigjëlon mbi
qytetin tonë nga lartësia e kësaj shtylle. Ky i sotmi, pra, është një gjest feje e
devocioni, të cilin bashkësa jonë e krishterë e përsërit nga viti në vit, gati si
të donte t’i ripohonte besnikërinë Asaj që na siguron ndihmën dhe mbrojtjen amtare
në të gjitha rrethanat e jetës së përditshme. Ky manifestim fetar është njëkohësisht
rast për t’u krijuar atyre që jetojnë në Romë, ose që kalojnë këtu disa ditë si shtegtarë
a turistë, mundësinë të ndjehen, ndonëse në mes të larmisë së kulturave, në një familje
të vetme që mblidhet rreth Nënës e cila kujdeset për ta, si çdo zonjë shtëpie e nënë
familjeje. Por kjo është një Nënë krejt e veçantë, e zgjedhur nga Hyji për një mision
të pashembullt e misterioz, për të lindur në jetën tokësore Fjalën e amshuar të Atit,
që erdhi në botë për shpëtimin e të gjithë njerëzve. E Maria, e papërlyer në zënien
e saj virgjërore – kështu e nderojmë sot me mirënjohje të devoçme – e përshkoi shtegtimin
e saj tokësor mbështetur mbi një fe guximtare, mbi një shpresë të palëkundshme, mbi
një dashuri të përvujtë e të pakufishme, duke ecur në gjurmët e të Birit, Jezusit.
Ishte pranë tij me dashuri amtare nga lindja, deri në Kalvar, ku e pa duke u kryqëzuar,
e bërë gur nga dhimbja, por pa e humbur për asnjë çast shpresën. Ajo provoi, më pas,
gëzimin e ngjalljes, në agimin e së tretës ditë, të ditës së re, kur i Kryqëzuari
u ngrit nga varri duke ngadhënjyer përgjithnjë e përfundimisht mbi pushtetin e mëkatit
e të vdekjes. Maria, në kraharorin virgjëror të së cilës Hyji u bë njeri, është
Nëna jonë. Nga lartësia e Kryqit Jezusi, para se ta kryente plotësisht flijimin e
tij, na e dhuroi si Nënë e na lëshoi në duart e Saj, si bijtë e tij. Mister i mëshrirës
e i dashurisë, dhuratë që pasuron Kishën me një amësi fekonde shpirtërore. T’i sjellim
sytë tanë nga Ajo, të dashur vëllezër e motra e, duke i kërkuar ndihmë, të zotohemi
ta bëjmë tonin çdo mësim amtar të Saj. A nuk na fton kjo Nëna jonë qiellore të ikim
nga e keqja e të bëjmë të mirën, duke ndjekur me bindje ligjin hyjnor, të shkruar
në zemrën e çdo të krishteri? Ajo, që nuk e humbi shpresën edhe në kulmin e provës,
a nuk na kërkon të mos dëshpërohemi, edhe atëherë kur vuajtja e vdekja trokasin në
portat e shtëpive tona? A nuk na kërkon të shikojmë plot besim drejt së ardhmes? A
s’na nxit Virgjëra e Papërlyer të jemi vëllezër njëri me tjetrin, të bashkuar në impenjimin
për të ndërtuar së bashku një botë më të drejtë, më solidare e më paqësore? Po,
miq të dashur! Edhe një herë në këtë ditë solemne, Kisha i tregon botës Marinë si
shenjë e sigurtë e shpresës dhe e fitores përfundimtare të së mirës mbi të keqen.
Ajo, që e quajmë ‘Hirëplote’, na kujton se jemi të gjithë vëllezër e se Hyji është
Krijuesi ynë e Ati ynë. Pa Të, e aq më keq kundër Tij, ne njerëzit nuk mund ta gjejmë
kurrë rrugën që të çon në dashuri, nuk mund ta mposhtim kurrë pushtetin e urrejtjes
e të dhunës, nuk mund të sigurojmë kurrë një paqe të qëndrueshme. Uroj që njerëzit
e të gjitha kombeve e kulturave ta pranojnë këtë mesazh drite e shprese: ta pranojnë
si dhuratë nga duart e Marisë, Nënës së mbarë njerëzimit. Në se jeta është shtegtim,
e në se ky shtegtim bëhet shpesh i errët, i vështirë e i mundimshëm, cili yll mund
ta ndriçojë? Në Enciklikën time ‘Spe salvi’(Me shpresën shpëtuam), publikuar
në fillim të Kohës së Ardhjes, kam shkruar se Kisha e shikon Marinë dhe i lutet si
‘yll i shpresës’ (n.49). Gjatë lundrimit tonë të përbashkët në detin e historisë,
kemi nevojë për ‘drita shprese’, për njerëz që e marrin dritën nga Krishti e na japin,
kështu, drejtimin për shtegtimin tonë (ibid). E kush më mirë se Maria mund
të jetë për ne “Yll i shpresës”? Duke iu përgjigjur ‘po’ ftesës së Krijuesit, Maria
krijoi kushtet që shpresa e mijëravjeçarëve të bëhej realitet, të hynte në botë e
në histori. Përmes Saj Hyji u mishërua, u bë një nga ne, e nguli banesën mes nesh.
Prandaj, përplot me besim bijnor, t’i themi: “Na mëso, o Mari, të besojmë, të
shpresojmë e të duam së bashku me ty; na e trego rrugën që çon drejt paqes, rrugën
drejt mbretërisë së Jezusit. Ti, Yll i shpresës, që na pret zemërdredhur në dritën
e paperëndim të atdheut të amshuar, shkëlqe mbi ne e na prij në të përditshmen tonë,
sot e përgjithmonë e jetës. Amen!Bashkohem me shtegtarët e mbledhur në shenjtëroren
mariane të Lurdës e të Furvierës, për të nderuar Virgjërën Mari në këtë vit jubilar
të 150-vjetorit të dukjeve të Zojës së Bekuar, Shën Bernardetës. Falë besimit të tyre
në Marinë dhe në shembullin e Saj, ata do të bëhen dishepuj të vërtetë të Shëlbuesit.
Përmes shtegtimit, ata i zbulojnë pamjet e ndryshme të Kishës njerëzve që janë në
kërkim e që vizitojnë shenjtëroret. Gjatë shtegtimit, janë të thirrur të thellojnë
hirin e Pagëzimit, të ushqehen me Eukaristinë, të gjejnë tek lutja forcën e dëshmisë
e të solidaritetit me të gjithë vëllezërit.