2007-12-08 18:50:21

Benedikti XVI jep ndjesën e plotë me rastin e 150-vjetorit të dukjeve të Virgjërës Mari në Lurdë.


(08.12.2007 RV) Sipas Dekretit përkatës, publikuar të mërkurën e kaluar nga Pendestaria Apostolike, ndjesa plenare do t’u jepet çdo ditë besimtarëve të cilët , duke filluar që sot e deri më 8 dhjetor 2008, do të vizitojnë disa vende të Lurdës: kapelën ku u pagëzua Bernardeta Subiru, shtëpinë e familjes Subiru, që njihet me emrin ‘cachot’, Shpellën e Masabielës dhe Kapelën e Strehës, ku Bernardeta mori kungimin e parë.
Papa u jep ndjesën e plotë edhe të gjithë atyre që, nga data 2 deri më 11 shkurt 2008, do të vizitojnë një tempull, një shpellë ose një vend, kudo në botë, ku mund të luten para figurës së Zojës Lurdë, të ekspozuar solemnisht për t’u nderuar nga besimtarët. Në këtë periudhë mund ta fitojnë ndjesën edhe pleqtë, të sëmurët e të gjithë ata të cilët, për arsye të pakundërshtueshme, nuk mund të dalin nga shtëpia, në se do të shkojnë simbolikisht me mend e me zemër në një nga viset e caktuara të Lurdës, dhe do t’ ia kushtojnë me besim Zotit sëmundjet e fatkeqësitë e jetës së tyre, me ndërmjetësinë e Zojës së Bekuar.
Kushtet për ta fituar ndjesën e plotë janë Sakramenti i rrëfimit dhe i kungimit: bashkimi eukaristik me Krishtin. Është e nevojshme edhe lutja sipas ndjeteve të Papës dhe pastrimi i plotë i shpirtit nga çdo mëkat.
Kujtojmë se ndjesa është shlyerja para Hyjit e dënimit të përkohshëm për mëkatet që janë falur në Sakramentin e rrëfimit. Dënimi i përkohshëm lidhet me prirjen e njeriut për të mëkatuar, që vijon ta ngacmojë edhe kur pajtohet me Zotin e që, prandaj, ka nevojë të pastrohet, si gjatë jetës, me një rrëfim të mirë, ashtu edhe pas vdekjes, në Purgator. Ndjesa e zhduk këtë dënim: ka vlerë edhe për shpirtrat e të vdekurve.
Dekreti i Pendestarisë Apostolike kujton, së fundi, mrekullitë e shumta që kanë ndodhur në Lurdë, ku mijëra njerëz janë shëruar në korp e në shpirt me ndërmjetësinë e Zojës së Papërlyer, gjë që vë në dukje se njeriu synon të gëzojë shëndet të plotë si këtu në tokë, ashtu edhe, e sidomos, në shëlbimin e amshuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.