(07.12.2007 RV)Në vijim të ciklit
të emisioneve kushtuar shtegtimit tonë simbolik udhës drejt Betlehemit, po ndalohemi
sot tek data e lindjes së Krishtit: Të nisemi nga të dhënat ungjillore: Mateu
ungjilltar tregon: “Jezusi lindi në Betlehem të Judesë, në kohën e mbretit Herod.
Disa Mbretër Dijetarë, që arritën nga Lindja në Jeruzalem, pyesnin: “Ku është Mbreti
i Judejve që ka lindur? Kemi parë të ngrihet ylli i tij e kemi ardhur ta adhurojmë!”
Te Ungjilli i Lukës shkruhet: “Në ato ditë, një dekret i Qesar Augustit urdhëroi
të bëhej regjistrimi i banorëve në të gjithë tokën. Ky regjistrim i parë qe bërë kur
ishte sundimtar i Sirisë Kuirini”. Betlehemi i Judesë, ku lindi Krishti, vetëm
pak kilometra larg nga Jeruzalemi, ishte vendi i origjinës të familjes së mbretit
David, birit të Jeses. Davidi është stërgjysh i Jezusit, e prandaj thirret “rrënja
e Jeses”. Megjithatë Jezusi nuk njihet si “Betlemiti”, por si “Nazareni”, sepse fëmijërinë,
adoleshencën e rininë i kaloi në Nazaret, fshat i Galilesë e jo i Judesë. Nazareti
ishte vendi i Jozefit e i Marisë, prindërve të Jezusit. Jezusi lindi në kohën
e Herodit, mbretit të Judesë, me origjinë idumease, që do të thotë gjysëm jude e gjysëm
pagan. Herodi ishte mik i romakëve. Në Romë sundonte perandori i parë, Qesar Augusti,
i cili qëndroi në fron të perandorisë nga viti 29 para Krishtit deri në vitin 14 pas
Krishtit. Emri i tij fillestar qe Oktavian; më vonë këtij emri iu shtuan epitetet
Qesar, per nder të aftësive të tij prej prijësi e pastaj August, si vulë e njohjes
së pushtetit dhe autoritetit. Jezusi lindi kur Qesar Augusti urdhëroi të bëhej
regjistrimi i parë i popullsisë dhe kur sundimtar romak i Sirisë, por edhe i Feniçies,
ishte Publio Sulpicio Kuirino. Po në ç’ vite qeverisi Kuirini, që qe sundimtar për
dy mandate? Pyetja është themelore për të arritur tek viti i saktë i lindjes së
Jezusit. Kuirini sigurisht nuk qe sundimtar në vitin 7 para Krishtit. Themi 7, sepse
sipas astronomit Kepler, është ky viti i lindjes së Krishtit. Për astronomin, ylli
i Mbretërve Dijetarë nuk ishte tjetër veçse bashkimi i Jovit e i Saturnit, që ndodhi
pikërisht në vitin 7. Në astronomi “bashkim” quhet radhitja e dy trupave qiellore
në të njëjtën gjatësi, ose në ‘ngritje vertikale’. I parë nga toka, fenomeni mund
të duket si bashkim i dy trupave, në të cilin i vogli ndodhet poshtë të madhit. Një
almanak astronomik siro-babilonez thoshte edhe se në vitin 7 Jovi e Saturni zunë vend
në të njëjtin konstelacion. Llogaritjet e mëvonshme dëshmuan se në vitin 7 nuk ndodhi
një bashkim i mirëfilltë, sepse Jovi e Saturni mbetën gjithnjë larg më se dy diametra
të dukshme nga hëna dhe, prandaj, nuk mund të shiheshin nga Toka si një yll i vetëm.
Prej këndej lind pyetja: në se jo Kuirini, kush ishte qeveritar i Sirisë në vitin
7? Ishte Senzio Saturnino. Ndërsa Qurini, sundonte me siguri në vitin 6, vit në të
cilin u bë një regjistrim tjetër, ai i Apameas. Shën Luka flet për regjistrimin
e parë, jo për të dytin. Kasio Dioni shënon se regjistrimet e para Augusti i bëri
në vitin 11 para Krishtit. Eshtë ky viti që na intereson për të përcaktuar datën e
lindjes së Jezusit. Kështu mund të themi se regjistrimi i parë u bë nën qeverisjen
e parë të Kuirinit. Zhvendosemi përsëri në planin astronomik. Në vitin 11 ose
rreth tij, ngjet diçka e rëndësishme astronomike, aq sa flitet për një yll. Vërtet
në vitin 11 u duk një yll ndërmjet konstelacionit të Binjakëve, të Luanit, të Ofiukut,
të Hidrës e të Akrepit. Ky yll u pa në tokën e Jezusit nga 26 gushti deri më 20 tetor
të vitit 12 me një shkëlqim shumë më të madh se të atij që u duk, për shembull, në
vitin 1910. Pra data e lindjes se Jezusit ka shumë mundësi të jetë viti 12 para Krishtit.
Themi ka shumë mundësi, sepse Shën Mateu shkruan se ylli, që panë Mbretërit dijetarë
vijonte të lëvizte, derisa arriti tek grazhdi i Foshnjës së sapolindur: kjo lëvizje,
astronomikisht krejt e pazakontë, mund të nënkuptohet edhe si një këshill për të mos
i besuar vetëm astronomisë lidhur me caktimin e datës së lindjes tokësore të Birit
të amshuar të Hyjit.