2007-12-07 18:17:47

Shtyhet akoma zgjedhja e presidentit në Liban


(07.12.2007 RV)Një partenariat i ri strategjik ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Afrikës. Ky është objektivi që i kanë vënë vetes 27 vendet e Bashkimit Evropian dhe 54 shtetet afrikane, që do të mblidhen nesër e pasnesër në Lisbonë të Portugalisë. Në projekt-rezolutën që do të miratohet nga pjesëmarrësit duket qartë shqetësimi për krizën në Afrikë dhe impenjimi për bashkëpunimin në sektorët e zhvillimit, tregtisë dhe politikës. Dy ndër temat kryesore do të jenë pa dyshim emigracioni dhe bashkëpunimi ekonomik.

Akoma nuk zhbllokohet kriza politike në Liban. Parlamenti, i mbledhur për të shtatën herë e ka shtyrë për 11 dhjetor zgjedhjen e presidentit të vendit. Duket se palët kanë rënë dakord mbi kandidaturën e vetme në garë, atë të kreut të ushtrisë, Mishel Sulejman, por mazhoranca i konsideron si të papranueshme kushtet e vëna nga lëvizja Hezbollah mbi përbërjen e qeverisë së ardhshme.

Bilanc i rëndë atentatesh në Irak. Në një fshat pranë Bakubës, një grua shpërtheu në erë në afërsi të një selie të milicisë që lufton kundër Al Kaidës. 16 viktima e 27 të plagosur. Al Kaida nuk priti shumë e kësaj radhe në Bakuba një tjetër atentat shkaktoi 10 të vdekur. Një sulm tjetër në Mosul vrau 4 vetë e plagosi 3 të tjerë. Ndërkaq, sipas disa burimeve, i ka shpëtuar kapjes numri dy i kohës së Sadam Hyseinit: Ibrahim al-Duri.







All the contents on this site are copyrighted ©.