2007-12-07 18:13:00

Nato konfirmon impenjimin në Kosovë


(07.12.2007 RV)Nato-ja u bën thirrje serbëve dhe kosovarëve të shmangin “akte apo deklarata”, që minojnë sigurinë. Edhe një herë, Pakti i Atllantikut thekson se “do të përgjigjet me vendosmëri” kundër çdo akti dhune. Kontingjenti do të mbetet në nivelet aktuale, të parashikuara nga misioni KFOR në Kosovë, e në rast nevoje mund të shtohet. Kështu thuhet në komunikatën përfundimtare të sesionit ministerial të NATO-s, i cili mblodhi në Bruksel krerët e diplomacive të 26 vendeve të Aleancës. “Ne u japim rëndësi të madhe zbatimit të standarteve në Kosovë, sidomos përsa i përket mbrojtjes së pakicave etnike dhe të vendeve historike e fetare, si edhe luftës kundër krimit dhe korrupsionit” – thuhet në komunikatë.
Sot u zhvillua në Bruksel edhe mbledhja NATO-Rusi. Mbeten divergjencat përsa i përket çështjes së Kosovës dhe Traktatit për kontrollin e armëve konvencionale, zbatimin e të cilit Rusia e ka pezulluar. Vendimi i presidentit Putin hyn në fuqi duke filluar nga 12 dhjetori.








All the contents on this site are copyrighted ©.