2007-12-07 16:02:23

Koha e Ardhjes: intervistë me kardinalin Frensis Arinze.


(07.12.2007 RV)RealAudioMP3 Për të na e shpjeguar kuptimin kësaj kohe të fortë kishtare, ftuam në mikrofonin tonë kardinalin Arinze, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve:

Pyetje: - Hirësi, dëshirojmë t’u kujtojmë dëgjuesve tanë kuptimin e Kohës së Ardhjes…

Përgjigje: - Koha e Ardhjes është koha e përgatitjes për solemnitetin e lindjes së Zotit tonë Jezu Krishtit. Na kujton ardhjen e parë të birit të Hyjit ndërmjet njerëzve, mishërimin e Tij, por është edhe kohë në të cilën, përmes kujtimit të ardhjes së parë të Krishtit – shpirti ynë udhëhiqet drejt pritjes së ardhjes së dytë të Tij në fundin e kohëve, në mbarim të botës. Koha e Ardhjes është kryesisht kohë e përgatitjes për Krishtlindje, që nis me Lutjet e para mbrëmësore – mbrëmjen e së Dielës së parë të kësaj kohe e përfundon, natyrisht, Natën e Krishtlindjes. Është koha në të cilën Kisha e përqendron gjithë vëmendjen tek misteri i madh i Birit të Hyjit që merr natyrën njerëzore, që hyn në historinë tonë njerëzore e që zbret nga qielli për dashurinë tonë e për shpëtimin tonë. Kjo është kryesorja për Kohën e Ardhjes. Të tjerat, pastaj, janë hollësira.

Pyetje: - Hirësi, ç’ na kujton Koha e Ardhjes e cili është mesazhi i kësaj kohe të fortë kishtare?

Përgjigje: - Biri i Hyjit hyn në historinë njerëzore për shëlbimin e mbarë njerëzimit, mishërohet në kraharorin e Virgjërës Mari e Kisha lexon vazhdimisht librin e Izaisë Profet, sepse është Profeti që ka parafolur më shumë nga të gjithë mbi Virgjërën, e cila do të zërë një djalë në kraharuar e do të na japë të gjithë neve një bir, Shëlbuesin. Gjithçka pra, përqendrohet tek Mishërimi. Dalë- nga-dalë afrohet Krishtlindja e pikërisht në javën para solemnitetit, dmth më 17 dhjetor, Liturgjia thekson përherë e më shumë Mishërimin, sidomos në antifonat e Lutjeve mbrëmësore, që nisin gjithnjë me pasthirmën ‘O’ : ditën e parë ‘O urtí’; ditën e dytë ‘O Adonai, dritë e popullit të Izraelit’; ditën e tretë ‘O rrënja e Jeses, çilci i Davidit’; ‘O lindje e shkëlqim i dritës së amshuar, mbret i popujve’ dhe, për të përfunduar, ‘O Emanuel’. Gjithçka flet vetë e gjithçka i kushtohet misterit të Mishërimit. Siç shihet, e Lumja Zojë nuk mund të mos bëjë pjesë në këtë atmosferë. Edhe devocioni marian është pjesë e rëndësishme e Kohës së Ardhjes. Si mund ta kishim Birin, pa Nënën? Mund të themi, prandaj, se kjo kohë është tepër e rëndësishme për të gjithë e na krijon mundësitë të reflektojmë mbi leximet liturgjike, por jo më pak edhe mbi pjesë të tjera të Shkrimit Shenjt. E të Liturgjisë. Kush ka mundësi, do të ishte mirë të merrte pjesë në lutjet e mëngjesit e në ato mbrëmësore.

Pyetje: - Hirësi, Koha e Ardhjes është kohë pritjeje, dmth kohë shprese. Do të dëshironin një reflektim nga ana juaj pikërisht për shpresën që të ngjall….

Përgjigje: - Pikërisht, është shpresa që na shpëton. Ati i Shenjtë e lidh ngushtë shpresën me fenë. Koncepti i shpresës së bazuar mbi fenë në Besëlidhjen e re është udhëheqës. Qendra e shpresës sonë është Jezu Krishti, Shëlbuesi. Nuk kemi shpresë në një ide apo në një sllogan, por në Jezu Krishtin, e në të gjithçka fiton kuptim: lutja, veprimtaria, vuajtja, por edhe gjithë ky tension i jetës së krishterë, që gjen shprehjen e vet në figurën e Marisë, yll i shpresës sonë, që na prin e na mëson si duhet të shpresojmë. Është e diçka vërtetë e bukur që Ati i Shenjtë na e jep Letrën e tij të dytë enciklike pikërisht për të përuruar kohën e pritjes, Kohën e Ardhjes, plot shpresë!







All the contents on this site are copyrighted ©.