Benedikti XVI pret Presidentin e Shqipërisë: në qendër të bisedimeve, integrimi i
Shqipërisë në Evropë dhe situata në Kosovë.
(06.12.2007 RV)Benedikti XVI priti sot paradite në Vatikan, Presidentin e Republikës
së Shqipërisë, Bamir Topin. Presidenti shqiptar shoqërohej nga një delegacion i Parlamentit
të Tiranës, nga bashkëshortja dhe dy vajzat. I pranishëm edhe ambasadori i Republikës
së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, zoti Rrok Logu. Bisedimet private ndërmjet
Benediktit XVI dhe Presidentit Topi, zgjatën rreth 15 minuta. Papa e priti Presidentin
e Shqipërisë në prag të bibliotekës papnore e më pas e ftoi të ulej përballë shkritores
së tij, ku edhe u zhvilluan bisedimet private në gjuhën italiane. Sipas një komunikate
të Sallës së Shtypit të Vatikanit, gjatë takimit u fol kryesisht për integrimin e
Shqipërisë në Evropë, përpjekjet e vendit për të fuqizuar shtetin e së drejtës dhe
për shmangien e rrezikut të përdorimit të dhunës në Kosovë, në situatën e sotme, duke
njohur kërkesat e ligjshme të palëve. U bisedua edhe për çështje të tjera të sferës
së marrëdhënieve të Kishës me shtetin shqiptar. Më pas Presidenti i paraqiti Papës
bashkëshorten e dy të bijat, duke i shpjeguar se e madhja vijon studimet në universitet,
ndërsa e vogla, në shkollë të mesme. Pas fotografive tradicionale për kujtim të vizitës,
u shkëmbyen dhuratat. Benedikti XVI i dhuroi presidentit medalje të papnisë dhe i
shpjegoi domethënien e stemës së tij, që nga guaskat, tek ariu i Korbinianos. Në shkëmbim,
Presidenti i dhuroi Benediktit XVI një pjatë të punuar me filigran argjendi, ku paraqitej
shtëpia presidenciale shqiptare. Më pas Presidenti Topi u takua edhe me Sekretarin
e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertone, në praninë e Sekretarit për marrëdhëniet
me Shtetet, imzot Dominik Mambertì. Sipas Komunikatës së Shtypit të Vatikanit, Presidenti
i shprehu mirënjohjen Kishës katolike për kontributin që ka dhënë në ndihmë të popullit
shqiptar, posaçërisht përmes veprimtarisë së institucioneve bamirëse dhe asistenciale.
Zoti Topi shprehu edhe kënaqësinë për marrëveshjet e nënshkruara këto ditë në fushën
shëndetësore e fiskale, duke uruar që bashkëpunimi të vijojë edhe në fushën kulturore
e shpirtërore. Pas këtij takimi, Presidenti Topi vizitoi Kapelën e Nënës së Shëlbuesit
në Vatikan, duke u ndaluar për të shijuar mozaikët e mrekullueshëm të stilit lindor.
Presidenti Topi u takua edhe me Bashkësinë e Shën Egjidit, që ka dhënë e vijon të
japë një kontribut të mirënjohur në ndihmë të Shqipërisë. Intervista jonë me kreun
e shtetit shqiptar