2007-12-05 17:08:57

Sonte kremtohet Nata e Shën Nëkollit.


(05.12.2007 RV)RealAudioMP3 Fama e Shenjtit është universale: dokumentohet nga Kishat e veprat e artit, institucionet e traditat e lidhura me emrin e tij. E, megjithatë, të dhënat për jetën e Shën Kollit janë të pakta. Ka mundësi të ketë lindur në Pàtara të Liçies, në Azinë e Vogël (Turqia e sotme), e pastaj të jetë zgjedhur ipeshkëv i Mirës, po në Liçie. Nikolla vdiq më 6 dhjetor të një viti të panjohur. Kulti i tij u përhap me shpejtësi në të gjithë Azinë e Vogël. Mjafton të kujtojmë se vetëm në shekullin VI, në Kostandinopojë iu kushtuan 25 kisha. Tek varri i tij nisën të organizohen shtegtime. Shumë shkrime në greqisht e në latinisht e bënë të njohur figurën e tij në mbarë botën bizantino-sllave e perëndimore, duke filluar nga Roma e deri në Jug të Italisë. Por më se shtatë shekuj pas vdekjes së tij, kur Pulia e Italisë u pushtua nga normanët, Nikolla i Mirës u bë Nikolla i Barit. Shtatëdhjetë e dy marinarë barezë, pasi zbarkuan në Azinë e Vogël, të pushtuar nga turqit, arritën tek varri i Shën Kollit, ia morën me nderim të thellë eshtrat dhe, më 9 maj 1087, u kthyen në Bari, të pritur me triumf: Shenjti u shpall menjëherë Pajtor i qytetit. Më 29 shtator të vitit 1089, pas një qëndrimi të shkurtër në një kishë të qytetit, reliket e Shenjtit u vendosën përfundimisht në kriptën e përgatitur pranë bazilikës që u ngrit mbi to. Do të ishte vetë papa Urbani II që do t’i vendoste reliket në lter. Në fund të shekullit XX bazilika, që Papa Piu XII ia besoi dominikanëve, u kthye në vend takimi ndërmjet Kishave të Lindjes e të Përendimit dhe në seli të Institutit të teologjisë ekumenike “Shën Nikolla”.
Sipas gojëdhënave, Shenjti kreu mrekulli pas mrekullie. Pothuajse çdo gjest të tij gojëdhëna e kthen në mrekulli: shpëton mrekullisht tre zyrtarë nga vdekja, e mbron Mirën nga thatësira, qetëson një stuhi të tmerrshme në det, ngjall së vdekuri tre fëmijë të mbytur, e mrekulli të tjera, të cilat kujtohen edhe në këngën tradicionale që shqiptarët e këndojnë sërisht natën e festës së Shenjtit, me devocion të jashtzakonshëm, nën dritën e qiriut të trashë, ndezur për nder të tij. E, gjithnjë sipas traditës, natën e festës, piqet edhe “ferliku i Shën Kollit”, ose flijohet një gjel. Shumë ndër shqiptarët katolikë e ortodoksë mbajnë emrin Nikollë emër që ka marrë një mori trajtash si: Lec, Kolec, Kolë, Nikolin, Koli, Kolin e Lin. Edhe ndër trojet shqiptare Shenjtit të mrekullive i janë kushtuar disa Kisha. Po kujtojmë vetëm Kishën e Shën Nëkollit në lagjen Rus të Shkodrës, shkatërruar nga komunistët e rindërtuar përsëri – një mrekulli e re kjo e Shenjtit; një Kishë tjetër e njohur kushtuar Shenjtit ngrihet në Velezhë të Kosovës, që e ka edhe pajtor.
Shën Kolli njihet menjëherë në ikonografi, sepse mban në dorë shkopin baritor dhe tri kuleta – siç quhen në këngën shqiptare kushtuar Shenjtit, të trija plot me monedha ari, që do të shërbenin për pajën e tri vajzave të varfra.Shenjti është pajtor i fëmijëve, i djemëve e vajzave të reja, i nxënësve, i farmacistëve, i detarëve, i peshkatarëve, i profumierëve. Emri Nikolla vjen nga greqishtja e do të thotë fitimtar i popullit.

Kanga e Shën Nëkollit

Sa punë të mëdhaja e mrekulli
Që ka bâ Shêjti Shën Nëkollë,
Difton qiella me lumni
E gjithë bota s’prajnë tue folë.
Lundërtari tue vozitë
e skamnori tue lypë bukë,
kangë e lavde s’ rrinë pa qitë;
Si shtegtari që bân rrugë.
Si i pasë, si ai që s’ká,
N’pastë ndo’i smundje a çdo idhnim,
Fill te i lumi pa ja dá
N’ ujë t’ Shën Nëkollit gjenë sherim.
Qysh se leu n’ ket botë ky fmí,
Kje si hylli qi shkelxen,
Kje si drita tanë mirësí:
Gjindja u mbushen me gazmend.
Ai kje i pastër si bilur,
I dha trupit të madh shterngim
E n’e prende e n’e merkurr
Gji nuk merr, bân agjinim.
Tue u rritë me shumë urtí,
Shpejt e ngjitën prindja n’ shkollë;
E nji të madhe mrekullí
Hin e bân Shejti Shën Nëkollë.
Kur prej shkollës po kthente n’ shpí
Hasë nji grue që ish’ tue dekë
E ky djalë plot me dashtní
Tue bâ kryq prej dekës e hjekë.
Adeodati, djalë dishiri,
Kje grabitë e çue në mergim
E i Shën Nëkolli prej Misiri
Për ajrí e çon në lirim.
Tri kuleta janë dergue,
Ndër tri varza mbetun shkret,
Prej dritorjet shkon me i çue
E ato me nderë i qet.
Tre fëmí të mbytun prej mizorit
Shtî në nji sheke copë e grimë,
I ktheu n’ jetë pa kurrfarë zorit
I Shën Nëkolli me ‘i bekim.
Fushë e male, tokë e dét,
Uj e zjarm e diell e hanë
Sa fuqí mbi dekë e jetë
Ka Shën Nëkolli, diftue e kanë.
Dridhet ferri prej idhnimit
Kur Shën Nëkolli n’ ball flakron,
Hikë shejtani prej tmerimit
Kur i k’shtêni ndihmë kërkon.
Por nji të madhe porosi
O i Shën Nëkollë, nji të madhe nderë
Na fal t’ gjithve si dhantí
Ndore tande t’ jemë përherë.
E n’at ditë që t’ jetë shenjue
Prej kso jete na me u hjekë,
Ndore tande kjoshim lshue
Ku gjithmonë na kjeme pështetë.
O i Shën Nëkollë plot me dashtëní,
Shpirtënt tonë ti na i kujtò,
prap po t’ bâjmë ketë porosí:
Ti n’at’ jetë të gjithë na pshtò!


Marrë nga ‘Katekizmi i Kishës Katolike'; hartue nga imzot Robert Ashta, botue nën kujdesin e ipeshkvisë së Pultit, Pult 1995.
 








All the contents on this site are copyrighted ©.