2007-12-05 17:08:08

NATO-ja dhe BE-ja koordinojnë forcat për përballimin e çështjes së Kosovës


(05.12.2007 RV)Vendet e NATO-s do të përpiqen të gjejnë të premten një marrëveshje mbi praninë e KFOR-it në Kosovë. Në mbledhjen që do të mbahet në Bruksel, ministrat e jashtëm të Paktit të Atllantikut, para rrezikut të ndeshjeve ndëretnike, do të kërkojnë që NATO të sigurojë praninë e 17 mijë ushtarëve të vet në Kosovë. Bashkëpunimi ndërmjet NATO-s dhe Bashkimit Evropian në Kosovë do të diskutohet nesër, në të ashtuquajturën “darkë transatllantike”. Ndërkaq, forcat amerikane të KFOR-it kanë blinduar kufirin Serbi-Kosovë për të parandaluar dhunën e mundshme.

Në një intervistë për gazetën italiane “Il Mattino”, ministri i jashtëm i Italisë, Masimo D’Alema deklaron se “në perspektivë nuk shoh alternativa të tjera, veçse pavarësisë së Kosovës. Por Kosovës i duhet kërkuar përgjegjësi”, sepse “Serbia nuk mund të dalë nga kjo histori e përulur dhe e mundur”. D’Alema thekson se rezultati pozitiv i çështjes së Kosovës, varet në masë të madhe nga uniteti i Bashkimit Evropian, i cili duhet të qeverisë marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke shmangur shpërthimin e një krize. Jo më larg se dje, D’Alema foli për këtë çështje me ministrin e jashtëm të Shqipërisë, Lulzim Basha dhe opinioni i tij është krejtësisht i kundër me Dhomën italiane të Deputetëve, e cila votoi njëzëri për të mos pranuar ndarjen e Kosovës nga Serbia.
Kosova ka qenë sot edhe një ndër temat kryesore të bisedës në takimin italo-spanjoll në Napoli, ku si kryeministri italian Prodi, ashtu edhe ministri i jashtëm D’Alema kanë deklaruar se kanë të njëjtën pikpamje me homologët e tyre spanjollë për t’i kushtuar rëndësinë maksimale unitetit të Bashkimit Evropian për çështjen e statusit të Prishtinës.







All the contents on this site are copyrighted ©.