2007-12-05 17:08:37

Edhe fëmijë ndër viktimat e atentateve në Afganistan e Irak


(05.12.2007 RV)Së paku 13 vetë, prej të cilëve 7 civilë, gjetën vdekjen në një atentat në Kabul kundër një autobuzi të ushtrisë. Katër fëmijë ndër të vrarët e të vegjël të tjerë edhe ndërmjet 17 të plagosurve. Atentati kamikaze u mor përsipër nga talebanët, si përgjigje ndaj vizitës së papritur në Kabul të sekretarit amerikan të mbrojtjes, Robert Gejts. Ndërkaq, Gejts shkoi sot në Irak, ku u prit, edhe atje, me bomba. Në Kirkuk e Bakuba humbën jetën 8 vetë.

Partia e Punës së Kudristanit ka hapur pesë kampe stërvitjeje në Armeni, nga ku militantët e saj dërgohen pastaj për akte terroriste në Turqi, Irak dhe Iran. Vijnë edhe në Evropë si protagonistë të trafikut të drogës. Kështu shkruan sot, gazeta turke Aksham, duke cituar shërbimet sekrete.

Pas debatit ndërkombëtar që shkaktoi deklarata e CIA-s se Irani e ka ndërprerë programin bërthamor ushtarak, presidenti iranian Ahmadinexhad iu kthye sot sërish me sulme të ashtuquajturve “tradhtarë të brendshëm”, që bashkëpunojnë me armikun. Fjala është për eksponentë politikë të moderuar, si ish-presidentët Rafsanjani dhe Khatami, të cilët i kanë bërë thirrje Teheranit të tregohet i kujdesshëm në marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare, pasi ekziston rreziku i izolimit e madje edhe i një sulmi. Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë lajmëron për një vizitë të presidentit amerikan Bush në Lindjen e Mesme, në fund të janarit.







All the contents on this site are copyrighted ©.