(04.12.2007 RV)Të dashur miq që
na ndiqni: po vijojmë ciklin e ri të emisioneve, të cilat do të na shoqërojnë, në
sa ecim udhës së Betlehemit, për të takuar Krishtin. Takimi ynë i tretë titullohet:
“Krishtlindja – festa e lindjes se Zotit tonë, Jezu Krishtit”. Krishtlindja
është festa e lindjes së Zotit tonë Jezu Krishtit. Kremtohet me 25 dhjetor. Emri
i festës vjen nga gjuha latine: “Natale” ose “Natalis Domini”, që do të thotë “Lindja”
ose “ Lindja e Zotit”. Prej këndej rrjedhin të gjitha emërtimet që iu dhanë festës
në gjuhët neolatine. Në traditën apostolike nuk kemi të dhëna të sakta për ditën
kur lindi Jezusi. Kremtimet e para liturgjike, për të cilat bën fjalë tradita apostolike,
janë ato të Pashkëve e të Rrëshajëve. Sipas “Liber Pontificalis” ( I, fq.129 ) duhet
të ketë qenë Papa Telesfori ai që kremtoi për herë te parë Meshën e Mesnatës së Krishtlindjes. Ndonëse
tradita nuk e ka të qartë datën e saktë të Lindjes së Krishtit, në ndryshim nga Pashkët,
Krishtlindja kremtohet në të njëjtën datë: më 25 dhjetor. Për herë të parë festa nisi
të kremtohej në Romë. Pas Romës, duke filluar nga Armenia e duke vazhduar në Afrikë,
Gali, Mesopotami, Kostandinopojë - Krishtlindja u bë një nga festat më të mëdha e
më të bukura botërore. Rreth vitit 350 pas Krishtit tashmë kremtohej në të gjithë
botën e krishterë. Nuk është diçka e rastit që ky kremtim përputhet me solsticin
dimëror “Natalis Solis Invicti”, që dikur ishte festa më e madhe pagane. Kështu kulti
i diellit që e shikojnë sytë tanë, shndërrohej në kultin e një drite më të shkëlqyer,
me një kuptim shumë më të thellë shpirtëror: Hyjnia e Krishtit i zbulohet barinjve
përmes një drite të mbinatyrshme; një yll i ndritshëm udhëheq Mbretërit Dijetarë,
drita pushton zemrat duke i mbushur me gëzim dhe i shtyn barinjtë të nisen udhës së
Betlehemit. Në Shqipëri Kërshëndella zevendësoi të kremten e lashtë pagane të
Natës së Buzmit. Krishtlindja - është festa e gëzimit, e ngrohtësisë, e dritës.
Në Ungjill, që është shkruar rreth 70 vjet pas lindjes së Krishtit, tregimi mbi lindjen
e Jezusit është i thjeshtë, i treguar me pak fjalë. Por më vonë u krijuan shumë gojëdhëna
prekëse për Foshnjen e grazhdit e për Nënën e tij Hyjnore. E shumë më vonë lindi edhe
Betlehemi i parë. Idenë për të përsëritur skenën e lindjes së Krishtit e pati Shën
Françesku me 1223 në Greçio (Asizi). Piktori i shquar italian Gjoto e përjetësoi këtë
ngjarje në një nga afresket e tij, në Bazilikën e Shën Françeskut, në Asizi. Ishte
gati si një shfaqje që përsëriste çdo vit ngjarjen e madhe. Shfaqja fillonte me një
kor engjëjsh, vazhdonte me këngët e vallet e barinjve. Prej këndej e kanë zanafillën
këngët e panumërta popullore të Krishtlindjes në letërsinë botërore e në atë shqiptare,
që do të na shoqërojnë udhës së Betelehemit e prej këndej, edhe veprat dramatike kushtuar
festës. Në gjysëm errësirën e Kishës, pranë Shpellës së Betlehemit që ndriçohet vetëm
nga qirinjtë e nga dritëzat, të cilat ndizen e shuhen, fëmijët sodisin të mahnitur
Foshnjen Hyjnore e këndojnë këngët e së kremtes ose recitojnë vargje kushtuar Birit
të Zotit, që lind në një grazhd, mbi kashtë, që vjen të na sjellë gëzimin, paqen!