2007-12-04 17:54:13

Mision evropian në Kosovë pavarësisht nga statusi


(04.12.2007 RV)Kosova do të kalojë nën kontrollin e një misioni evropian, sido që të jetë statusi i saj i ardhshëm. Piter Feit, zyrtari i lartë që pritet të marrë në dorë komandën, ka deklaruar për BBC-në, atë që tashmë është diskutuar disa herë në mënyrë anonime. Misioni Evropian do të bazohet në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe do të ndjekë sugjerimet e planit të Ahtisarit për Kosovën. Ndërkaq, Sllovakia e bën të qartë se është vështirë që të njohë pavarësinë e njëanshme të Kosovës. Kështu i ka deklaruar kryeministri Robert Fico presidentit të Komisionit Evropian, Barroso.


Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç ndodhet sot në Nju Jork, ku do të takohet me Sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun. Jeremiç do t’i kërkojë që të vazhdojnë negociatat për statusin e Kosovës dhe çështja të mos mbyllet më 10 dhjetor, kur përfundon mandati i Treshes së negociatorëve ndërkombëtarë. Pritet që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të diskutojë mbi raportin e Trojkës, më 19 dhjetor.


Bashkimi Evropian duhet të nënshkruajë Marrëveshjen e asociim-stabilizimit me Serbinë vetëm pas arrestimit të kriminelit Ratko Mlladiç, të kërkuar nga Gjykata e Hagës. Pas vizitës së saj në Serbi dje, gjatë një konference mbi Ballkanin, të mbajtur sot në Bruksel, kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Karla Del Ponte theksoi se Mlladiç duhet t’i dorëzohet gjyqit në janar ose shkurt, sepse nëse nënshkruhet marrëveshja, ai nuk do të dalë kurrë para gjykatësit. Vendet ballkanike – theksoi Del Ponte, që do t’ia lërë vendin belgut Serzh Bramerc në fund të vitit – nuk bashkëpunojnë nëse nuk ushtrohet presion ndaj tyre. Beogradi e ka nënshkruar Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit në Bruksel, por Bashkimi Evropian e ka kushtëzuar firmën përfundimtare me bashkëpunimin e plotë me Gjykatën e Hagës. Të hënën, Del Ponte do të paraqesë një raport edhe para Këshillit të Sigurimit të OKB-së.







All the contents on this site are copyrighted ©.