Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Françesk Saverin.
(03.12.2007 RV)Shenjti, rregulltar
jezuit, Apostull i Indisë, Pajtor i Misioneve njihet edhe si Pajtor i udhëtarëve
dhe i turistëve, sepse gjatë jetës së tij përshkoi më se njëqind mijë kilometra. Por
kryesisht Shenjti është njëri nga jezuitët e parë në historinë e urdhërit të mirënjohur,
sepse përkrah me Injacin e Lojolës, themeloi më 1534 Shoqërinë e Jezuitëve. Nga
qyteti i Navarrës, ku kishte lindur më 1506, në moshë të pjekur u nis për rrugë të
largta. Predikoi Ungjillin e Krishtit në Indonezi e në Japoni. Ëndrra e tij ishte
ta vijonte këtë predikim edhe në Kinë, ku nuk mundi të arrinte: vdiq fare pranë brigjeve
të dëshiruara, në një ishull në afërsi të Kantonit, më 3 dhjetor 1552. Për jetën
e Shenjtit janë shkruar dhjetra libra. Figura e tij është e mirënjohur edhe në Shqipëri,
sepsè emri i shenjtit ka qenë i gjithpranishëm në jetën e besimtarëve katolikë e të
shumë shqiptarëve të besimeve të tjera. Mjafton të kujtojmë se këtë emër mbante një
nga shkollat më të famshme në Shqipërinë e para diktaturës: Shkolla Saveriane në Shkodër
(sot shkolla e mesme Atë Pjetër Meshkalla) nën drejtimin e Jezuitëve. Libri më i fundit
kushtuar jetës së shenjtit në gjuhën shqipe është ai me titullin: "Shën Françesk Saveri"
shkruar nga kryeipeshkvi i ndjerë i Shkodrës, Imzot Fran Illia.