2007-12-03 18:43:39

Shpresa e feja: në qendër të Engjëllit të Tënzot të Papës në të Dielën I të Kohës së Ardhjes.


(03.12.2007 RV)RealAudioMP3 Lidhja e ngushtë ndërmjet shpresës e fesë dhe vlera e tyre në historinë, që duhet ungjillëzuar vazhdimisht, ishin konceptet kryesore të lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot, gjatë së cilës Papa reflektoi për Kohën e Ardhjes e foli edhe për Enciklikën e tij të dytë.
Shkenca kontribuon shumë për të mirën e njerëzimit, por nuk është në gjendje ta shpëtojë. Këtë pohoi Benedikti XVI duke nënvizuar vlerën e dashurisë e të shpresës:
“Njeriun e shpëton dashuria, që e bën të mirë e të bukur jetën personale e shoqërore. Prandaj shpresa e madhe, e plota e përfundimtarja, sigurohet nga Hyji që në Jezusin na vizitoi e na dha jetë e në Të do të kthehet në mbarim të kohëve. Në Krishtin shpresojmë, Atë presim”!”.
Zhvillimi i shkencës moderne - shpjegoi Papa – i kufizon gjithnjë më shumë fenë dhe shpresën në sferën private dhe individuale, kështu që sot shihet gjithnjë më qartë e nganjëherë edhe në mënyrë dramatike, se njeriu dhe bota kanë nevojë të madhe për Hyjin, Hyjin e vërtetë, përndyshe mbeten krejt pa shpresë. E Papa pyet ‘ po, ç’është shpresa’ , për t’u përgjigjur më pas se shpresa qëndron në njohjen e Zotit:
“…në zbulimin e zemrës së tij prej Ati të mirë e të mëshirshëm. Jezusi, me vdekjen në kryq e me ngjalljen, na e zbuloi fytyrën e Tij, fytyrën e Hyjit, që ka një dashuri aq të madhe, sa të na transmetojë shpresën e patundshme.”
Në të dielën e parë të Kohës së Ardhjes, Papa na kujtoi se po bëjmë hapat e para në një Kohë të përshtatshme për të rizgjuar në shpirtin tonë pritjen e Jezusit që – nënvizoi Shenjtëria e Tij - siç erdhi në Betlehem njëzet shekuj më parë, vjen çdo çast në shpirtin e në bashkësitë që janë gati ta presin:
Kjo e Dielë është, prandaj, ditë më se e përshtashme për t’i ofruar mbarë Kishës dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë, Enciklikën time të dytë, që ia kushtova pikërisht temës së shpresës së krishterë”.
Fjala ‘shpresë’ lidhet ngushtë me fjalën fe - shpjegoi Papa, duke shtuar se është një dhuratë që ia ndryshon krejtësisht jetën atij që e merr. Në përfundim të lutjes mariane Benedikti XVI i përshëndeti besimtarët e shumtë, ardhur në Sheshin e Shën Pjetrit nga vise të ndryshme të Italisë e të botës, në gjuhët e tyre, duke u uruar të gjithëve përgatitje sa më të mirë shpirtërore gjatë Kohës së Ardhjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.