2007-12-03 18:26:15

Nesër në Vatikan, ministri i jashtëm i Shqipërisë. Të enjten te Papa, presidenti i Republikës


(03.12.2007 RV)Pas vizitës së kryeministrit italian, Romano Prodit në Shqipëri, vazhdojnë aktivitetet intensive diplomatike të politikës shqiptare. Nesër vjen në Vatikan ministri i jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha e të enjten, presidenti i Republikës, Bamir Topi. I pari do të takohet me sekretarin e Selisë së Shenjtë për marrëdhëniet me shtetet, imzot Dominik Mambertì, ndërsa presidenti Topi me Papën Benedikti XVI në Vatikan. Vizita vjen menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjeve të rëndësishme ndërmjet Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë.
Sot, ministri i financave, Ridvan Bode nënshkroi sëbashku me Nuncin Apostolik në Shqipëri, imzot Xhovani Bulaitis, si përfaqësues i Vatikanit, një marrëveshje mbi disa çështje ekonomike dhe tatimore. Kjo marrëveshje e çliron kishën katolike nga çdo detyrim tatimor ndaj shtetit shqiptar në të gjitha ato raste kur veprimtaria e kishës bëhet jo për arësye fitimi. Gjithashtu, nuk i nënshtrohen tatimeve çdo lloj ndihme materiale nga besimtarët apo entet brenda dhe jashtë vendit, subvencionet financiare dhe çdo e ardhur tjetër e ligjshme.
Të shtunën, Vatikani nënshkroi një marrëveshje tjetër me Shqipërinë, kësaj radhe në fushën e shëndetësisë. Ambasadori shqiptar pranë Selisë së Shenjtë, z. Rrok Logu firmosi në Vatikan, në praninë e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone një marrëveshje me spitalin “Bambin Gesù” në Romë, ent i Selisë së Shenjtë. Marrëveshja parashikon shtrimin në këtë spital, që është një ndër katër spitalet më të mira pediatrike të Evropës, të të gjithë fëmijëve që nuk kanë mundësi të kurohen në Shqipëri. Gjithashtu, në marrëveshje përcaktohen edhe bashkëpunime për specializimin e mjekëve shqiptarë në Itali dhe për shkuarjen e mjekëve italianë të spitalit “Bambin Gesù” në Shqipëri. Por më hollësisht të dëgjojmë në mikrofonin e Klaudia Bumçit, vetë ambasadorin, z. Rrok Logu…RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.