2007-12-03 18:29:12

MINISTRI I FINANCAVE, RIDVAN BODE, NENSHKRUAN MARREVESHJE ME SELINE E SHENJTE PER DISA ÇESHTJE EKONOMIKE DHE TATIMORE


(3.12. 2007 RV) nga ATSH-ja.- Ministri i Financave, Ridvan Bode, nënshkroi të Hënën, në emër të Qeverisë shqiptare, një marrëveshje me Selinë e Shenjtë mbi disa çështje ekonomike dhe tatimore.
Sipas burimeve të kësaj ministrie, synimi i kësaj marrëveshjeje është përcaktimi i qartë i një kuadri ligjor përkatës mbi ecurinë normale të veprimtarisë së Kishës Katolike në Shqipëri dhe rregullimin e disa çështjeve me natyrë ekonomike dhe tatimore, për të zotëruar dhe administruar në mënyrë të pavarur të mira dhe burime ekonomike të nevojshme për zhvillimin e misionit të vet.
Nunci Apostolik, Arqipeshkvi Giovanni Bulaitis, i cili nënshkroi në emër të Selisë së Shenjtë, ka shprehur mirënjohjen e Kishës Katolike dhe të Papës për bashkëpunimin shumë të mirë me ministrinë e Financave të Shqipërisë dhe nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, e cila çliron nga detyrimet tatimore Selinë e Shenjtë.
Ministri Bode ka vlerësuar rolin e Kishës Katolike për të ndihmuar njerëzit në nevojë në këtë periudhë të ringjalljes dhe ringritjes së ekonomisë së vendit, ndërsa ka siguruar përfaqësuesit e Vatikanit se administrata do të ekzekutojë me përpikmëri këtë marrëveshje.
Në marrëveshje parashikohet që Kisha Katolike, mund të sigurojë lirisht dhe të marrë ndihma materiale ose të financuara nga besimtarë dhe dhurues, edhe jashtë vendit. Subvencionet financiare të çfarëdo lloji dhe çdo e ardhur tjetër e ligjshme nuk do t'i nënshtrohen asnjë lloj takse apo tatimi. Kisha Katolike është e përjashtuar nga taksa mbi pasurinë, ndërtesat në pronësi ose në përdorim të Kishës, enteve të saj apo institucioneve të saj kur ato përdoren për veprimtaritë e njohura të Kishës dhe jo për arësye fitimi. Pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të Kishës ose të enteve të saj, të cilat përdoren për veprimtari jo fitimi, janë të përjashtuara nga pagimi i taksës së trashëgimisë ose të kalimit të pasurisë, në rastin e dhurimeve.
Delegacioni i Selisë së Shenjtë përbëhej edhe nga Kreu i Kishës Katolike në Shqipëri, Arqipeshkvi i Tiranës-Durrësit Imzot Rrok Mirdita dhe Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Angelo Massafra.







All the contents on this site are copyrighted ©.