2007-12-02 12:34:07

Enciklikë ndriçuese e inkurajuese: kështu u shprehën kardinajtë Vanhoj e Kotje në paraqitjen e ‘Spe Salvi’ në Sallën e Shtypit të Vatikanit.


(02.12.2007 RV)RealAudioMP3 Të premten e kaluar, më 30 nëntor, në Bibliotekën e Pallatit Apostolik, Papa nënshkroi Enciklikën e tij të dytë. Titulli “Spe salvi” (Me shpresën shpëtuam), është marrë nga letra e Shën Palit drejtuar Romakëve (Rm. 8,24). Më pas Dokumenti u paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit. Paraqitjen e hapi drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Atë Federiko Lombardi, i cili kujtoi se Benedikti XVI ka nisur ta shkruajë Enciklikën pas Pashkëve. Eshtë një Enciklikë e shkruar njëherësh - tha Atë Lombardi, duke shtuar se ndonëse nuk është në program, nuk përjashtohet mundësia për një Enciklikë të tretë, të përqëndruar mbi fenë.
Një Enciklikë ‘ndriçuese’, inkurajuese e nxitëse”: kështu e quajti ‘Spe Salvi’ kardinali Albert Vanhoj, profesor nderi i ekzegjezës së Besëlidhjes së Re pranë Institutit Papnor Biblik. Një Enciklikë në të cilën rishikojmë tek Papa teologun e thellë e njëkohësisht, bariun plot vëmendje për nevojat e grigjës që i është besuar. Dokumenti – shpjegoi kardinali, të krijon mundësi për të reflektuar thellë mbi shpresën e mbi fenë e krishterë, por nuk mungojnë edhe faqe prekëse kushtuar dëshmitarëve të mëdhenj të shpresës, nga e cila buron gjallëria e jashtëzakonshme e fesë së krishterë. Në ‘Spe salvi’- shtoi Hirësia e Tij – Papa thekson se kur flitet për shpresë, ajo duhet të jetë e vlefshme, me shkronjë të madhe:
Në të vërtetë, të besosh në fenë e krishterë, nuk do të thotë thjeshtë të pranosh disa të vërteta abstrakte, por të pranosh personalisht Krishtin, për t’u shëlbuar prej Tij e për të hyrë në bashkimin hyjnor. Shpresa e vërtetë buron nga takimi personal me Hyjin e gjallë e të vërtetë, përmes Krishtit”.
Enciklika – vijoi Hirësia e Tij – flet për fizionominë e vërtetë të shpresës së krishterë, e cila lidhet ngushtë jo vetëm me fenë, por edhe me dashurinë që vjen nga Hyji dhe të bashkon me Hyjin e me vëllezërit. E kjo do të thotë se shpresa e krishterë nuk është individualistike, as e plogësht, por të shtyn të veprosh. Është gjithnjë edhe shpresë për të tjerët – tha në përfundim kardinali Albert Vanhoj.
Ndërsa kardinali Zhorzh Kotje, teolog nderi i Shtëpisë Papnore, foli për ‘Spe salvi’ në këndvështrimin filozofik. Enciklika – tha teologu – tregon bukurinë dhe forcën çliruese të shpresës së krishterë e lë të kuptohet se kjo shpresë është vendimtare për kulturën si dhe për humanizmin e vërtetë. Hirësia e Tij vërejti se në ‘Spe salvi’ preket pësëri tema e fortë e kësaj papnie: lidhja ndërmjet fesë e arsyes, posaçërisht përballë sfidave të progresit të sotëm, që duhet t’i përballojë çdo i krishterë:
Sigurisht fitorja e arsyes mbi irracionalen është një nga qëllimet e fesë së krishterë. Dhurata e madhe që Hyji i bëri njeriut, arsyeja, nuk mund të sundojë, në se shkëputet nga Hyji ose në se nuk dëshron ta shikojë. Përveç të tjerash, arsyeja, në gjërësinë e saj, është diçka më shumë se arsye e pushtetit dhe e veprimit. E kemi parë se progresi që arrihet prej saj, kërkon edhe respektimin e rregullave etike. Arsyeja e pushtetit dhe e veprimit duhet të arrijë, përmes pranimit të forcave shëlbuese të fesë, të dallojë të mirën nga e keqja”.Spe Salvi’ – tha në përfundim kardinali Kotje, do të jetë një shoqëruese me vlerë në përpjekjen për të jetuar plot shpresë dhe shtoi se Enciklika mund të japë edhe një ndihmesë të shquar për bashkimin e plotë të të krishterëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.