2007-11-30 17:49:37

Papa Patrikut Bartolomeu I në festën e Shën Andreut: “Të vijojmë ecjen në rrugën e dialogut e të dashurisë, sepse bota ka nevojë për një zë të vetëm të krishterë.


(30.11.2007 RV)Festë solemne sot në Fanar të Stambollit, seli e Patriarkanës ortodokse ekumenike, për kremtimin e Shën Andreut Apostull. Një vit pas vizitës së Benediktit XVI në Turqi dhe pas përqafimit me Bartolomeun I, një delegacion i Vatikanit, i kryesuar nga kardinali Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, mori pjesë në Liturgjinë Hyjnore në kishën patriarkale dhe i dorëzoi Bartolomeut I, një mesazh, një dhuratë të artit kishtar dhe një kopje të Enciklikës Spe salvi, nënshkruar nga Papa.
Në Mesazhin drejtuar Patrikut ekumenik, Benedikti XVI prek temën e dialogut dhe të ecjes drejt bashkimit të plotë të katolikëve me ortodoksët, për të cilin – shkruan Ati i Shenjtë - bota ka shumë nevojë.
Një zë i krishterë i pandarë mund të dëgjohet më me vëmendje, kur është fjala për të zgjidhur problemet e epokës së sotme. Puna jonë drejt unitetit është shprehje e vullnetit të Zotit tonë Jezu Krishtit – shkruan Papa – dhe në vijim vëren se në vitet e para të mijëvjeçarit të tretë, përpjekjet e katolikëve dhe të ortodoksëve janë edhe më urgjente, për shkak të sfidave, para të cilave ndodhen gjithë të krishterët dhe të cilave – thekson Papa – duhet t’u përgjigjemi një zëri e me bindje.
Në vijim Benedikti XVI kujton kryevjetorin e vizitës së tij historike në Turqi, në fund të nëntorit 2006, dhe përqafimin me Bartolomeun I në ballkonin e patriarkatit të Stambollit. Më pas thekson se prania e një delegacioni vatikanas në Turqi, ashtu si dhe e një delegacini ortodoks në Romë, në kremtimin e Shën Pjetrit e të Shën Palit, janë shenja të bashkimit gjithnjë më të thellë, të përforcuar përmes marrëdhënieve personale, të lutjes dhe dialogut në dashuri e vërtetësi.
Papa kujton edhe takimin e fundit të Komisionit të përbashkët teologjik katoliko-ortodoks, mbajtur në Ravenë, qytet në të cilin- siç thekson Ati i Shenjtë - monumentet flasin për trashëgiminë bizantine që vjen deri në kohët tona që nga Kisha e pandarë e mijëvjeçarit të parë. Papa e përfundon mesazhin duke ripohuar impenjimin e Kishës katolike për të kultivuar marrëdhëniet vëllazërore kishtare dhe për të vijuar ecjen në rrugën e dialogut teologjik, duke iu afruar kështu sa më shumë, bashkimit të plotë.







All the contents on this site are copyrighted ©.