2007-11-29 18:45:01

Papa i përgjigjet Letrës së 138 burrave të urtë islamikë për rifillimin e dialogut ndërmjet të krishterëve e myslimanëve.


(29.11.2007 RV)RealAudioMP3 Sot u bë e njohur përgjigja që Benedikti XVI i jep Letrës së hapur drejtuar Atit të Shenjtë dhe prijësve të Kishave e konfesioneve të tjera të krishtera, më 13 tetorin e kaluar, me rastin e përfundimit të Ramazanit, nga një grup i përbërë prej 138 personalitetesh të shquara myslimane. Letra e të urtëve titullohej “Një fjalë e përbashkët ndërmjet Nesh e Jush”.
Përgjigja e Papës, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Tarçizio Bertone, i drejtohet Princit Ghazi bin Uhamad bin Talhal, anëtar i familjes mbretërore të Jordanisë dhe kryetar i Institutit të Mendimit Islamik ‘Aal al- Bayt”(Bejt), një nga organizatorët e nismës, i cili u kujdes personalisht për dërgimin e letrës. Duke falënderuar e duke i shprehur vlerësimin e tij për nismën domethënëse grupit të shquar të personaliteteve myslimane, Papa ripohon rëndësinë e dialogut të bazuar mbi respektin e njëmendtë të dinjitetit të njeriut, mbi njohjen objektive të fesë së tjetrit, mbi shkëmbimin e përvojës fetare dhe mbi impenjimin e përbashkët për të promovuar respektin dhe pranimin e asnasjelltë. Lidhur me këtë, ju ftojmë të ndiqni reflektimin e kardinalit Zhan-Lyi Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Në Letrën (e Papës), përveç vlerësimit pozitiv mbi përmbajtjen e Letrës (së personaliteteve myslimane), theksohet edhe gatishmëria e Atit të Shenjtë për ta pritur Princin Ghazi bashkë me një delegacion përfaqësues të të urtëve që e nënshkruan, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e një takimi pune me Këshillin Papnor të Dialogut Ndërfetar.

Pyetje: - E përsa i përket tekstit, përmbajtjes së Letrës…?

Përgjigje: - Në Letër, kardinali thotë se Papa e çmon shumë shpirtin pozitiv, jo polemik, që frymëzoi tekstin. Natyrisht, pa i fshehur ndryshimet tona, Papa mendon se të krishterët e myslimanët mund të punojnë së bashku, sepse të gjithë, si të krishterët, ashtu edhe myslimanët, besojnë në një Zot të vetëm që është Provani, Krijues, Gjykatës universal e që në fund të kohëve do të na gjykojë për veprat tona. Pra, duhet të impenjohemi të gjithë për të qenë besnikët e Tij e për t’iu bindur vullnetit të Tij. E pastaj kujtohet edhe një fragment tepër i rëndësishëm i Letrës së 138-tëve, e pikërisht ai ku shkruhet se dashuria për Hyjin e dashuria për të afërmin është, në fund të fundit, thelbi i të gjitha feve.







All the contents on this site are copyrighted ©.