2007-11-29 18:46:31

Një dhuratë për Bartolomeun I në kujtim të kryevjetorit të vizitës së Papës në Turqi.


(29.11.2007 RV)Një vit pas vizitës së rëndësishme të Benediktit XVI në Turqi, më 29 e 30 nëntor 2006, një delegacion i Vatikanit arriti sot në Stamboll. Kryesohet nga kardinali Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, i cili nesër, në festën e Shën Andreut Apostull do t’i dorëzojë Patrikut të Kostandinopojës, Bartolomeut I, një mesazh të Papës Benedikti XVI. Mesazhi do të lexohet në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, që do të kremtohet në Stamboll për festën e Shën Andreut në Kishën e Shën Gjergjit në Fanar, e cila konsiderohet si Vatikani i ortodoksëve.
Delegacioni i Selisë së Shenjtë – lexohet në një notë të dikasterit vatikanas- sivjet do të ketë detyrën e posaçme të çojë në Konstandinopojë kujtimin e veçantë të Atit të Shenjtë në kryevjetorin e vizitës së tij historike në Turqi, kur u takua me vëllezërit e Lindjes. Për ta theksuar këtë kryevjetor, Papa i dhuron Patrikut riprodhimin e çmuar të “Qengjit mistik” të kupolës së Bazilikës së Shën Vitalit në Ravenë, vepër e shekullit IV. Mozaiku – përgatitur enkas për këtë rrethanë nga kryedioqeza e Ravenës, është realizuar sipas traditës bizantine ravenase e, përmes një shkrimi të punuar me argjend, të kujton takimin e Benediktit XVI me Bartolomeun I më 30 nëntor 2006. Dhurata, me subjektin e veprës e me vendin ku ndodhet origjinali – vëren dikasteri vatikanas – të sjell menjëherë ndër mend takimin plenar të Komisionit të përbashkët katoliko-ortodoks për dialogun, që u mbajt kohët e fundit pikërisht në kryediqoezën e Ravenës; e jo më pak, ngjarjen që emocionoi aq shumë botën e krishterë një vit më parë.Është ende i freskët në kujtesën e shumkujt përqafimi i Papës së Romës me ‘Vllaun e Lindjes’, Patrikun ortodoks ekumenik, që vulosi takimin e Bartolomeut I e Benediktit XVI në Turqi. Vizita e kardinalit Kasper, në emër të Papës, do të jetë simbol kuptimplotë i një ngjarjeje që nuk i përket vetëm së kaluarës së afërt, por kryesisht të tashmes dhe të ardhmes së dialogut ekumenik, të cilin të nxit ta shikosh plot shpresë.







All the contents on this site are copyrighted ©.