Benedikti XVI pret kryeministrin slloven Janez Jansha
(29.11.2007 RV)Sot Papa Benedikti XVI priti në audiencë kryeministrin e Sllovenisë,
Janezh Jansha, i cili shoqërohej nga ministri i jashtëm i kabintetit të tij si dhe
nga ambasadori i Vendit ballkanik pranë Selisë së Shenjtë. “Kryeministri slloven
– pohon një komunikatë e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – shprehu mirënjohjen
e Kombit të vet për vëmendjen me të cilën Selia Apostolike i ndoqi zhvillimet në Slloveni
që nga pavarësia dhe e ftoi Atin e Shenjtë të vizitojë vendin ballkanik në vitin 2009,
me rastin e Vitit të të Rinjve dhe të mbylljes së Kongresit Eukaristik Kombëtar”. Ndërmjet
temave që u prekën gjatë bisedimit, i cili zgjati rreth 20 minuta, ishte edhe ajo
e presidencës sllovene të turnit në Këshillin e Bashkimit Evropian, të cilin Sllovenia
(i pari vend i ish-bllokut sovjetik) do ta marrë duke nisur nga 1 janari 2008. Kryeministri
slloven e informoi Papën edhe për nismat kryesore të presidencës gjatë semestrit
të ardhshëm”. Zoti Jansha i dhuroi Papës një kelk qelqi blu, të zbukuruar me yje
të arta, që të kujtojnë flamurin e Bashkimit Evropian. Pas bisedimeve me Benediktin
XVI, kryeministri slloven u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin
Tarçizio Bertone, i cili uroi që gjatë semestrit të presidencës sllovene të arrihen
rezultate pozitive, posaçërisht për stabilitetin dhe paqen në Jug-lindjen evropiane.
Së fundi u trajtuan disa çështje me interes të përbashkët, si procesi i rikthimit
të pasurive të Kishës, të shtetëzuara gjatë regjimit komunist dhe perspektivat e ngritjes
së ordinariatit ushtarak.