2007-11-28 14:36:57

Pa rezultat bisedimet kosovaro-serbe në Austri


(28.11.2007 RV)Bisedimet kosovaro-serbe në Baden të Austrisë përfunduan pa asnjë rezultat. Që ato dështuan e pranuan edhe vetë ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, gjermani Volfgang Ishinger, amerikani Frenk Uisner dhe rusi Aleksandër Kharçenko.
Nuk parashikohen takime të tjera dypalëshe, theksuan ata në konferencën e përbashkët për shtyp. Treshja e negociatorëve e përfundon mandatin më 10 dhjetor, ditë në të cilën do t’i dorëzojë raportin e vet sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun. Më 19 dhjetor do të ketë një debat në Këshillin e Sigurimit, por nuk pritet miratimi i ndonjë rezolute për Kosovën, pasi dihet që Rusia do të vendosë veton. Ndërmjetësuesi amerikan, Frenk Uisner nënvizoi nevojën për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë për statusin e Kosovës, pasi, siç tha ai, gjendja aktuale nuk mund të zgjasë më tepër. Liderët kosovarë janë shprehur se do të marrin vendim mbi shpalljen ose jo të pavarësisë së njënashme, pas 10 dhjetorit. Serbia është për vazhdimin e bisedimeve, por do të anullojë çdo shpallje të pavarësisë nga ana e Kosovës. Përfaqësuesit ndërkombëtarë u kanë bërë thirrje palëve të ruajnë gjakftohtësinë dhe të bëjnë ç’është e mundur për të mos cënuar paqen në Ballkan.








All the contents on this site are copyrighted ©.