2007-11-28 17:32:02

Në audiencën e përgjithshme: katekizmi kushtuar Shën Efremit, teolog i shekullit IV dhe thirrja e Benediktit XVI për të sëmurët nga Sida.


(28.11.2007 RV)RealAudioMP3 Qestja e Shpirtit Shenjt: kështu, me një shprehje të traditës së krishterë e kujtoi Papa Shën Efrem Siriakun, të cilit i kushtoi sot katekizmin e audiencës së përgjithshme. Në përfundim të katekizmit, Ati i Shenjtë bëri thirrje për të sëmurët nga Sida, në kuadrin e Ditës Botërore kushtuar betejës kundër sëmundjes së tmerrshme, që bie më 1 dhjetor.
“Duke e përdorur në mënyrë të gabuar lirinë, njeriu e përmbys rendin e kozmosit”: këtë pohoi Papa në sa kujtonte mësimet e Efremit mbi temën e Hyjit krijues, ndërmjet të cilave, edhe mësimi i mëposhtëm i përfaqësuesit më simbolik të krishterimit në gjuhën siriake, poetit më të përmendur të të gjithë epokës patristike: “Në krijim, asgjë nuk është e izoluar e bota, përkrah Shkrimit Shenjt, është Bibla e Hyjit”.
Benedikti XVI e kujtoi figurën e Efremit, lindur në vitin 306 e vdekur nga murtaja, që iu ngjit në sa u shërbente të sëmurëve, duke u ndaluar në mënyrë të posaçme tek veprimtaria e tij e shquar në shërbim të të gjithëve aq, sa që bashkëkohasit e kujtojnë me epitetin ‘shërbyesi’. Ai – shpjegoi Papa – i përkiste kategorisë së njerëzve që ia kushtojnë krejt jetën Krishtit në shërbim të bashkësisë kishtare, duke i jetuar besnikërisht kushtet e virgjërisë e të varfërisë. Njeri tejet i thjeshtë, Efremi mbeti deri në vdekje diakon. Ai e thelloi reflektimin teologjik përmes poezisë e mund të themi se tipari kryesor i veprës së tij është takimi i teologjisë me poezinë:
“Teologjia, reflektimi fetar, poezia, kënga, lavdërimi i Hyjit shkrihen së bashku e pikërisht në këtë karakter liturgjik të teologjisë së tij, duket qartë e vërteta hyjnore”.
Në veprën e tij përdori me sukses të madh sidomos simbolin, në sa këndonte teologjinë në një poezi tepër të pasur me figura letrare të marra nga natyra, nga jeta e përditshme e nga Bibla – shpjegoi Papa – duke nënvizuar vlerën katekistike të kësaj vepre e duke pohuar se është plotësisht aktuale për jetën e kishave të ndryshme të krishtera. Benedikti XVI nënvizoi se në veprën e Efremit pasqyrohet edhe roli i gruas, për të cilën flet gjithnjë me delikatesë e respekt. Duke shkruar se ‘Banesa e Jezusit ishte kraharori i një gruaje’ – shtoi Papa – Efremi e lartoi jashtëzakonisht dinjitetin e gruas. Ati i Shenjtë kujtoi, më pas, edhe figurat kryesore që përdori teologu-poet, në sa i këndonte Eukaristisë: janë prushi e perla.Pas përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, në kuadrin e Ditës Botërore kundër Sidës, Benedikti XVI kujtoi të gjithë ata që vuajnë nga sëmundja e tmerrshme e jo më pak, edhe familjet e tyre, posaçërisht ato që janë në zi për humbjen e ndonjerit prej pjesëtarëve:
Dëshiroj t’i nxis të gjithë njerëzit vullnetmirë t’i shumfishojnë përpjekjet për të frenuar përhapjen e Sidës, për t’iu kundërvënë mospërfilljes që tregohet shpesh ndaj saj e për t’i mjekuar të sëmurët, posaçërisht kur janë ende të mitur”.







All the contents on this site are copyrighted ©.