2007-11-28 17:41:24

Izraelitët e palestinezët impenjohen për paqe brenda vitit 2008


(28.11.2007 RV)Konferenca ndërkombëtare mbi Lindjen e Mesme në Anapolis përfundoi me një impenjim të qartë: Izraeli dhe Autoriteti Palestinez duhet të arrijnë një marrëveshje për paqen brenda vitit 2008. Një rezultat i rëndësishëm, pas shtatë vjetëve të bllokimit të bisedimeve ndërmjet palëve.
E megjithatë, konsensusi i Merilendit iu nënshtrua menjëherë kritikave dhe anatemave të aktorëve të ndryshëm të skenarit gjeopolitik, në të cilin mbretëron një skepticizëm i dukshëm. Kreu i partisë izraelite Likud në opozitë, Benxhamin Netanijahu u kërkon partive konservatore të koalicionit në pushtet, të dalin prej tij dhe akuzon kryeministrin Olmert se po shet vendin. Irani i Ahmadinexhadit siguron se “Izraeli nuk do të mbijetojë”. Siria deklaron se është bërë një hap përpara, por ngul këmbë në “tërheqjen e plotë të pushtuesve nga tokat arabe” e pra edhe nga Lartësitë e Golanit, të okupuara në vitin 1967. Për Hamasin, konferenca e Anapolisit është si të mos ketë ekzistuar kurrë.
Ndërsa ne po transmetojmë, presidenti amerikan Xhorxh Bush dhe liderët izraelitë e palestinezë po mbajnë një konferencë të përbashkët shtypi, ku po sanksionojnë impenjimin e mëtejshëm në rrugën e paqes. Presidenti Bush u takua më parë veç e veç me ta e më pas në një bisedë tripalëshe. Edhe Rusia do fetën e saj të tortës, tani që kjo bëhet interesante. Sipas ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov konferenca tjetër ndërkombëtare për Lindjen e Mesme do të mbahet në Moskë, në një datë që duhet caktuar akoma.
Ndërkaq, mbledhja e parë e komisionit të përbashkët izraelito-palestinez, me detyrën për të përgatitur dhe koordinuar negociatat, do të mbahet më 12 dhjetor. Ndërkohë, Olmert dhe Abu Mazen do të vazhdojnë të takohen çdo 15 ditë. Olmert paralajmëroi se skadenca e fundit të 2008-ës ndoshta nuk do të mund të respektohet, por garantoi maksimumin e përpjekjeve. Pëlqehet apo jo, procesi rifilloi.







All the contents on this site are copyrighted ©.