28 Nëntori kremtohet nga të gjithë shqiptarët: kryekremtimet - në Vlorë e Tiranë.
(28.11.2007 RV)Sot, 28 Nëntor 2007, të gjithë shqiptarët, në trojet e tyre
e nëpër botë, kudo jetojnë e punojnë, kremtuan me emocionin e përvitshëm, Ditën e
shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, duke bërë një shtegtim simbolik në Vlorën
e 1912-tës, ku 95 vjet më parë u ngrit Flamuri Kombëtar i Kastriotëve, simbol i lirisë,
i pavarësisë, i ëndrrave për një ardhmëri më të mirë në gjirin e kombeve të përparuara
të botës. Prandaj - dëgjuesve të Radio Vatikanit e të gjithë shqiptarëve, redaksia
e Programit Shqip i uron: “Gëzuar! Për shumë vjet Festën e Flamurit!” Edhe sot,
ashtu si 95 vjet më parë, zemra e kremtimeve ishte pikërisht Vlora, ku sot u mblodhën
politikanët shqiptarë të pozitës e të opozitës, duke filluar nga presidenti i Shqipërisë,
zoti Bamir Topi, për të vijuar me kryeminstrin Sali Berisha, me kreun e opozitës,
Edi Rama dhe deputetë të shumë të të dyja palëve. I pranishëm në kremtimin e sotëm
edhe kreu i PDSH, Menduh Thaçi, shoqëruar nga një delegacion si dhe përfaqësues të
trupit diplomatik në Tiranë. Konferencën Ipeshkvnore Katolike e përfaqësoi administratori
apostolik i Shqipërisë së Jugut, Imzot Hil Kabashi. Siparin e kremtimeve e hapi
presidenti Topi me nderimin mbi varrin e Ismail Qemalit e, më pas, me ngritjen e flamurit
në qendër të Vlorës, pikërisht atje ku u valavit për herë të parë më 1912. Pasi u
uroi festën të gjithë shqiptarëve, presidenti Topi nënvizoi se Pavarësia e Shqipërisë
nuk ishte thjeshtë dhuratë e Fuqive të mëdha, as krijesë ndëkombëtare e këtyre fuqive.
Ishte vepër e vetë popullit shqiptar – e vepër e vetë popullit shqiptar duhet të jetë
edhe ardhmëria më e mirë, që nuk mund të arrihet pa ndërgjegjësimin kombëtar të të
gjithë shqiptarëve. Për këtë ndërgjegjësim po punohet shumë - theksoi presidenti i
Shqipërisë- sipas të cilit, populli ka akoma besim tek politika. Kreut të qeverisë
shqiptare, zotit Sali Berisha, 28 Nëntori nuk i kujton vetëm Ditën e Pavarësisë, por
edhe atë të çlirimit të vendit nga pushtuesit nazistë, dmth 29 nëntorin, të cilin
Kryeministri e quajti një 28 nëntor të ri.