2007-11-27 16:17:49

Edhe një natë tjetër dhune në periferitë e Parisit e lajme të tjera


(27.11.2007 RV)Klima ndryshon me shpejtësi dhe përgjegjësia bie mbi vendet e industrializuara, të cilat nuk reduktojnë emetimin e gazit që shkakton ngrohjen globale. Këto janë rezultatet e pasqyruara në Raportin mbi zhvillimin njerëzor 2007/2008, publikuar nga Programi i OKB-së për Zhvillimin, me titull “T’u rezistojmë ndryshimeve të klimës”. Në raport kërkohen masa urgjente për të përshtatur politikat energjitike me reduktimin e emetimit të gazrave të dëmshme deri në 80% brenda vitit 2050. Kombet e Bashkuara vënë në dukje se ata që paguajnë më tepër për këto ndryshime janë vendet e pazhvilluara.


Edhe një natë tjetër dhunë në periferitë e Parisit. Pas natës të së dielës, protestat e shkaktuara nga vdekja e dy të rinjve në një aksident rrugor me makinën e policisë së zonës, edhe nata e djeshme u karakterizua nga manifestime, dhunë e ndeshje me policinë. Bilanci: 82 agjentë të plagosur, dyqane e restorante të shkatërruara, një bibliotekë dhe dhjetra makina e kazane plehrash në flakë. Nesër, në Elize, takim për sigurinë kombëtare.


Gjeorgjia ka njoftuar se më 5 janar, ditën e zgjedhjeve presidenciale të parakohshme, do të mbahet edhe një referendum mbi integrimin e vendit në NATO. Një rezultat pozitiv i tij, do t’i jepte Moskës një sinjal tjetër të avancimit amerikan, pas mbrojtjes me raketa në Poloni e Revolucionit Portokalli në Ukrainë. Ndërkaq, akuzës ruse se vëzhguesit e OSBE-së që hoqën dorë nga monitorimi i zgjedhjeve presidenciale të 2 dhjetorit janë frymëzuar nga amerikanët, Shtëpia e Bardhë i përgjigjet me vënien në dukje të gjendjes së rëndë të të drejtave të njeriut në Rusi.







All the contents on this site are copyrighted ©.