2007-11-27 16:09:10

Austri: Prishtina hedh poshtë propozimin serb për vetëqeverisje


(27.11.2007 RV)Vazhdon takimi serbo-kosovar në Baden afër Vjenës, me ndërmjetësimin e Treshes ndërkombëtare. Sot, Kosova hodhi poshtë propozimin serb për t’i dhënë asaj të drejtën e vetëqeverisjes. Sipas një note të zyrës së presidentit serb, Boris Tadiç, Beogradi do të mbante për vete kontrollin mbi politikën e jashtme, mbrojtjen, kufijtë dhe trashëgiminë serbe.
Rusia po përpiqet me çdo mënyrë të gjejë argumente për ta shtyrë afatin e bisedimeve edhe pas 10 dhjetorit, por shqiptarët e bënë të qartë se nuk kanë ndërmend të vazhdojnë më tej. Arrijnë edhe kërcënimet nga Beogradi. Një zyrtar, i cituar nga agjensia amerikane e lajmeve Associated Press (Ësoshiejtid Pres), ka deklaruar se Serbia do të vendosë një embargo të plotë ekonomike dhe bllokimin e udhëtimeve, ku përfshihen ndërprerja e furnizimit me energji elektrike dhe ndalimi i kalimit të kufirit për shqiptarët dhe mallrat e tyre.


Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi ka shprehur shqetësim për militarizimin e Luginës së Preshevës nga ana e Beogradit. Reagimi vjen pas deklaratës së ministrit serb të Mbrojtjes, Dragan Shutanovac për shtimin e trupave ushtarake në Preshevë dhe Bujanoc.


Debat ndërmjet kryeministrit shqiptar, Sali Berisha dhe zv.kryeministrit serb, Gjeliç për çështjen e Kosovës, në Takimin e kryetarëve të qeverive të Nismës së Evropës Qendrore në Sofje. Mollë sherri, deklarata e Berishës, sipas të cilit, zgjatja e procesit të përcaktimit të statusit të Kosovës do të sillte rreziqe të paparashikuara dhe do të vinte në dyshim të gjitha sukseset e arritura deri tani nga Prishtina. Në shënjestrën e kryeministrit të Shqipërisë edhe qëndrimi i Serbisë dhe i Rusisë, të cilat kanë krijuar një rreth vicioz në dëm të stabilitetit të krejt rajonit. Për zv.kryeministrin e Serbisë, Bozhidar Gjeliç, kjo ka qenë një ndërhyrje në punët e brendshme të Beogradit.







All the contents on this site are copyrighted ©.