2007-11-26 17:52:22

Përpjekja e fundit për marrëveshje serbo-kosovare


(26.11.2007 RV)Shansi i fundit për të arritur një marrëveshje: kështu e përkufizoi ditën e sotme përfaqësuesi evropian në Treshen e negociatorëve për statusin e Kosovës, Volfgang Ishinger. Në Baden, afër Vjenës u takuan sot sërish delegacioni serb dhe ai kosovar, për bisedime me ndërmjetësimin e Treshes ndërkombëtare. Në kështjellën e Vajkersdorfit, me dyer të mbyllura, janë zhvilluar një sërë diskutimesh, veç e veç me delegacionet e pastaj sëbashku, por si Beogradi, ashtu edhe Prishtina mbeten në qëndrimet e tyre të mëparshme.
Ndërkaq, ipeshkvijtë evropianë të mbledhur në Bruksel, në fund të javës që kaloi i kërkuan Bashkimit Evropian që të veprojë më me efikasitet për zgjidhjen e çështjes kosovare. Nga ana tjetër, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, në një intervistë për revistën ruse Itogi ka kërcënuar se Moska do të përdorë të gjitha mjetet që parashikohen nga ligjet ndërkombëtare për të penguar shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Sot në Kishën e shën Katerinës në Pejë u mbajt një koncert-recital i violinistes shqiptare Anyla Kraja, e cila ia ka dhuruar atë vendit në prag të pavarësisë. Koncerti do të përsëritet edhe nesër në orën 19.00 në kishën e Shna Ndout në Prishtinë. Anyla Kraja jeton e punon prej vitesh në Itali, ku është afirmuar si violiniste, ka marrë çmimin ndërkombëtar “Ciociaria 2004”, është ambasadore e FAO-s (Organizatës Botërore të Ushqimit) në botë dhe presidente e shoqërisë kulturore “NamArt” në Romë, e cila promovon vlerat e kulturës shqiptare. Në Kosovë është paraqitur e shoqëruar nga pianistja shqiptare Anita Tartari nga Tirana.







All the contents on this site are copyrighted ©.