2007-11-26 17:49:30

Në Anapolis gjithçka gati për konferencën e paqes në Lindjen e Mesme.


(26.11.2007 RV)Gjithçka gati në SHBA ku nesër do të fillojë konferenca e paqes për Lindjen e Mesme në Anapolis të Merilendit. Në takim, është ftuar edhe Selia e Shenjtë. Ndërkaq, kryeministri izraelit Olmert dhe presidenti palestinez Abu Mazen kanë mbërritur në Amerikë, nga ku kanë shprehur dëshirën për “negociata serioze”. Lëvizja integraliste Hamas e ka quajtur pjesëmarrjen e Autoritetit Kombëtar Palestinez në Konferencë, “tradhëti” ndaj Intifadës së Arafatit. Nga ana e Shtëpisë së Bardhë, përpjekjet diplomatike janë përqëndruar në hartimin e një dokumenti përfundimtar, për të cilin palët akoma nuk kanë rënë dakord.
Pavarësisht nga opinioni i përgjithshëm, gati i tepruar, se konferenca nuk mund të ketë sukses, një rezultat pozitiv ajo e ka arritur tashmë. Në takim do të marrin pjesë ministrat e jashtëm të Lidhjes Arabe, përkrahja e të cilëve është vendimtare për çdo iniciativë paqeje në Lindjen e Mesme. E sipas lajmeve të fundit, do të jetë e pranishme edhe Siria, megjithëse vetëm në rang zv.ministri, pasi në programin zyrtar të konferencës nuk është vënë për diskutim çështja e Golanit, zonë e pushtuar nga Izraeli në vitin 1967 dhe e aneksuar përfundimisht nga shteti hebraik në vitin 1981.
Ideja e një shteti palestinez sovran, në fqinjësi të mirë me Izraelin, nuk vihet më në diskutim nga askush. Por mbeten të pazgjidhura disa probleme kyçe, si kufijtë, ngulimet hebraike, kthimi i refugjatëve dhe statusi i Jeruzalemit. Pikërisht këto ishin temat, që bënë të dështonte konferenca e Kemp Dejvid në vitin 2000, e thirrur nga presidenti amerikan i atëhershëm, Bill Klinton. Sot, si atëherë, duket se jemi përpara impulsit të parezistueshëm të liderëve të Shtëpisë së Bardhë në fund të mandatit të tyre të dytë presidencial, për të hyrë në histori si protagonistët e paqes në Lindjen e Mesme. Por gjërat janë ndërlikuar më tej. Në vend të një shteti palestinez kemi përpara një “Hamasland”, imponuar me forcë nga lëvizja integraliste në Rripin e Gazës. Ndërsa në Çisjordani, kryeministri izraelit Olmert i jep 25 autoblinda presidentit palestinez Abu Mazen dhe bën shumë premtime. Paralajmëron lirimin e 430 të burgosurve palestinezë dhe mosavancimin e ngulimeve hebraike në Territore. Gjeste vullneti të mirë, që duhet të hapin rrugën për një marrëveshje paqeje, e cila mbetet gjithsesi larg. Izraelitët dhe palestinezët nuk janë marrë vesh as për emrin se si do ta quajnë dokumentin përfundimtar, sepse për izraelitët duhet të jetë një “deklaratë e përbashkët”, ndërsa për palestinezët një “dokument i përbashkët”. Llogjika e këtyre marrëdhënieve mbetet ajo e hapave të vogla, trashëguar nga Marrëveshja e Oslos e viteve ’90, e cila vendosi bazën e procesit të paqes. Por procesi është mbyllur në një rreth vicioz dhe arritja e paqes shtyhet gjithnjë për momente më të favorshme. Do të duhej një bujari më e madhe nga ana e armiqve të dikurshëm, që tani kanë pranuar të ulen në të njëjtën tryezë, nën regjinë e presidentit amerikan Bush, por edhe nën hijen e dyshimtë të Hamasit.







All the contents on this site are copyrighted ©.