Do të publikohet më 30 nëntor Enciklika e dytë e Benediktit XVI, e titulluar “Spe
salvi”, (Me shpresën shpëtuam). Reflektim i imzotit Bruno Forte
(26.11.2007 RV)Të premten e ardhshme
më 30 nëntor, do të publikohet Enciklika II e Benediktit XVI. Titullohet “Spe salvi”
që do të thotë ‘Me shpresën shpëtuam’. Dokumenti papnor do të paraqitet në
Sallën e Shtypit të Vatikanit e më pas teksti i Enciklikës do të publikohet në tetë
gjuhët kryesore të botës. Gati dy vjet pas Enciklikës mbi dashurinë, ‘Deus caritas
est”, tani Benedikti XVI na ofron enciklikën mbi shpresën. Mund të themi, pra se Enciklika
kushtuar shpresës është vijim i Enciklikës kushtuar dashurisë. E pikërisht për këtë
vazhdimësi na flet kryeipeshkvi i Kieti-Vastos, imzot Bruno Forte. Ta ndjekim
reflektimin e tij:
Përgjigje: - Sigurisht është një temë jashtëzakonisht
aktuale. Në se dashuria është lajmi i mirë, që i kundërvihet vetmisë dhe shqetësimeve
të thella në planin e drejtësisë e të bashkëjetesës së popujve, shpresa është ajo
që na hap horizontin për të kuptuar jetën, horizont i cili, pas perëndimit të miteve
ideologjike, duket se mungon krejtësisht. Në epokën tonë ndjehet fort mungesa e aftësisë
për ta kuptuar jetën e, sidomos, mungesa e shpresës, e na duket se pikërisht rikthimi
i shpresës, rimotivimi i kuptimit të jetës e i historisë mund të jetë një formë konkrete
e dashurisë së krishterë për kohën që po jetojmë.
Pyetje: - Shën Pali
në letrën drejtuar Romakëve (8, 24) shkruan: “Me shpresën shpëtuam”...
Përgjigje:
- Besoj se kuptimi më i thellë i kësaj shprehjeje, që i jep edhe titullin enciklikës,
është se vë në dukje përvojën e hirit, tregon si e sa ky hir prek zemrat e shndërron
jetët, thekson se përmes kësaj përvoje zbulohen rezervat ‘e mundësive të pamundura
të Hyjit’- siç i pëlqente të shprehej Karl Bartit – të cilat i tejkalojnë gjithnjë
parashikimet e kohës e të historisë. Me këtë dua të them se kur ti takon Hyjin, Hyjin
e Jezu Krishtit, takimi që jeton në këtë ças, që ta shndërron zemrën e jetën, ndikon
fuqimisht në të nesërmen, të nesërmen e premtimit të Tij, edhe pse je i thirrur ta
jetosh besnikërisht në të sotmen tënde. Më duket se Papa, duke e nënvizuar që nga
titulli këtë përmasë: “Me shpresën shpëtuam’, dëshiron të na kujtojë domethënien eskatologjike
të krishterimit, atë që nganjëherë lihet në heshtje përballë urgjencave të së sotmes,
problemeve që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Edhe këtu mendoj se vërehet një
shenjë epokale: eskatologjia bëhet përsëri qendër e shqetësimeve të zemrës njerëzore.
Të pyesësh veten mbi fundin tënd, mbi jetën, vdekjen, gjykimin, jetën e pasosur, më
duken tema që i shërbejnë secilit për të zbuluar vlerat përballë perëndimit të idelogjive
të mëdha, përballë humbjes së shpresës e të kuptimit të jetës, që lidhej me to; përballë
nevojës për të kërkuar arsyen e impenjimit tonë historik, të ngritur mbi baza që
nuk janë jetëshkurtëra, as kalimtare e të përkohshme, por përfundimtare, të përjetshme.
Pyetje: - Jezusi është shpresa jonë: po a dimë, ne të krishterët t’ia
dhurojmë edhe botës këtë shpresë?
Përgjigje: - Ndërkaq duhet thënë
se shpresa për të krishterët nuk është diçka, nuk është pritje e realizmit të një
dëshire ose inkurajim për të ecur para në rrugët e botës. Shpresa është Dikush, Dikush
që erdhi, por edhe Dikush që do të vijë: është Jezu Krishti. Kjo është e reja që sjell
krishterimi e në këtë kuptim krishterimi është mbartës i kuptimit të jetës dhe i
shpresës në një mënyrë të pashembullt, madje paradoksale. Përballë fshatit global,
që jeton në atmosferën e krizës së modeleve ideologjike, përballë kërkimit të kuptimit
të jetës e të historisë, që ndjehet thellë në zemrat e të rinjve, ne shkojmë të kumtojmë
Jezu Krishtin, e Krishti është shpresa që nuk të zhgënjen. Ky është kuptimi i thellë
i misionit tonë, prej të cilit nuk mund të heqim dorë, e këtë besoj se dëshiron të
na e kujtojë Papa me Enciklikën, që e presim plot gëzim e në këtë rast duhet thënë
edhe – plot shpresë.