2007-11-26 17:41:09

Benedikti XVI kardinajve të rinj: “Kisha të jetë gati për t’iu përgjigjur kërkesave të njerëzve të kohës sonë”.


(26.11.2007 RV)RealAudioMP3 “Të jeni gjithnjë dëshmitarë bujarë të dashurisë së Krishtit”: këtë porosi u dha Papa të gjithë besimtarëve gjatë takimit të sotëm në Sallën e Palit VI me 23 kardinajtë e rinj, të krijuar në Konçistorin e së shtunës së kaluar. Papa i priti kardinajtë e rinj, së bashku me familjarët e miqtë. Një audiencë – siç u shpreh vetë Shenjtëria e Tij në fjalimin e mbajtur në gjuhë të ndryshme - që përfaqësonte mirë katolicitetin e Kishës – gjatë së cilës Papa u dhuroi kardinajve të rinj një kopje të veçantë të Katekizmit të Kishës Katolike, të pasuruar me 49 figura jashtë tekstit e 8 miniatura.
Ishte çast vërtetë festiv, takim i zhvilluar në atmosferë të thellë bashkimi me Pasardhësin e Shën Pjetrit ky i sotmi për Benediktin XVI dhe 23 kardinajtë e rinj, të shoqëruar nga familjarët e nga miqtë e ardhur nga të katër anët, për të qenë pranë tyre në këtë çast kaq të rëndësishëm. E pikërisht miqtë Papa i nxiti t’u qëndrojnë gjithnjë pranë kardinajve, ashtu si në këto ditë të mëdha, kur iu bënë kurorë me praninë e tyre të ngrohtë. Duke u folur kardinajve për miqtë e pranishëm, Papa theksoi:
“E nxis secilin prej tyre që të mos jua kursejnë kurrë miqësinë, nderimin e lutjen, duke ju ndihmuar kështu t’i shërbeni me besnikëri Kishës e të jepni, në detyra e shërbime të ndyshme, që ju beson Provania Hyjnore, një dëshmi gjithnjë më bujare të dashurisë së Krishtit”.
Më pas Ati i Shenjtë u kërkoi anëtarëve të Kolegjit kardinalor ta shoqërojnë me përvojën e tyre baritore e njerëzore:
Për mua ka shumë vlerë ndihma juaj, që të mund ta kryej sa më mirë detyrën time në shërbim të mbarë popullit të Hyjit”.
Ati i Shenjtë vuri theksin edhe tek shërbimi që Pasardhësi i Shën Pjetrit, së bashku me barinjtë, duhet t’u ofrojë besimtarëve të mbarë botës:
“Vijoni të luteni për ta e edhe për mua, që të jetë gjithnjë i fuqishëm bashkimi i barinjve me Papën, në mënyrë që t’i japin mbarë botës dëshminë e një Kishe, besnike ndaj Krishtit dhe e gatshme për t’iu përgjigjur me guxim profetik kërkesave shpirtërore të njerëzve të kohës sonë”.
Duke folur në gjuhën frënge, Benedikti XVI nëvizoi rëndësinë që ka për kardinajtë e rinj lutja e besimtarëve. E edhe në gjuhën angleze Papa i nxiti besimtarët t’i shoqërojnë kardinajtë me lutje, duke vënë theksin edhe tek lidhja që ekziston ndërmjet kardinajve e Papës si simbol i unitetit të Kishës.Në spanjisht iu lut Virgjërës Mari t’i ruajë kardinajtë e rinj e t’i ndihmojë që shërbimi i tyre ndaj Kishës të jetë shumë i frytshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.