“Solidaritet e përkushtim ndaj të pastrehëve për të frenuar dramën e heshtur të mjerimit"
- në Konferencën ndërkombëtare të baritorisë kushtuar atyre.
(26.11.2007 RV)“Është shqetësim njerëzor e kishtar, që kërkon përgjigje të
cilat janë në gjendje ta frenojnë dramën e përditshme, pak të njohur, të njerëzve
pa strehë”. Këtë theksuan njëzëri kardinali Renato Martino dhe kryeipeshkvi Agostino
Marketo, përkatësisht kryetar dhe sekretar i Këshillit Papnor të baritorisë për emigrantët
dhe endacakët, në fjalimin që mbajtën sot paradite gjatë takimit ndërkombëtar të
baritorisë për njerëzit e pastrehë, organizuar nga dikasteri i Vatikanit.Vdesin çdo
ditë në heshtje, ashtu si jetuan. Janë gati të padukshëm. Bien viktima të mjerimit
të tyre, për të cilin japin lajme vetëm ata që ua kushtojnë jetën. Janë burra e gra,
pleq e fëmijë, që nuk kanë ku të pinë një pikë ujë, nuk kanë ku të lahen, nuk kanë
ku të mjekohen. Janë viktima të një rendi shoqëror të papërkryer, të pabarabartë,
të padrejtë, për të cilët dikush duhet të mendojë. E në Konferencën e sotme ndërkombëtare
u fol pikërisht për ta, për plotësimin e nevojave të tyre, për t’u krijuar mundësitë
të kenë strehë, veshmbathje, ushqim, ngrohtësi, mjekime e kështu me radhë, për t’u
plotësuar të gjitha kërkesat që ka çdo njeri e, sidomos, për t’i trajtuar me dinjitet.
Por një rezultat i tillë mund të arrihet – u theksua me forcë në Konferencë – vetëm
në se organizatat fetare e ato laike bashkëpunojnë ngushtësisht për të siguruar procesin,
tepër të vështirë, të shndërrimit e të përtëritjes së këtyre njerëzve.