2007-11-25 16:28:10

Veprimtari festive me rastin e 28 nëntorit në Romë.


(25.11.2007 RV)RealAudioMP3 Afrohet festa kombëtare e shqiptarëve, 28 Nëntori e me të, nisin edhe takimet përkujtimore 2007.
Dy takimet e para festive u mbajtën dje e sot në mjediset e Rrethit italo-shqiptar të Kulturës ‘Besa, në Romë, ku arbëreshë e shqiptarë vijuan traditën e bukur të përkujtimit festiv.
Sot, në orën 10. 30, pranë Kishës së Shën Athanasit, për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Atdhe e nëpër botë, u kremtua Liturgjia Hyjnore në gjuhën shqipe e kënduar me muzikën e Atë Nilo Somma, meshtar- murg arbëresh i Manastirit të Grotaferratës.
Ndërsa në takimin që u mbajt dje në sallën e Rrethit “Besa”, shqiptarët e shumtë, mbledhur me këtë rast, përkujtuan Atdheun e largët përmes një figure që mbetet simbol i krenarisë kombëtare, Nënë Terezës, në 10-vjetorin e vdekjes.
Takimi nisi me fjalën e frymëzuar e prekëse të doktoreshës Katerina Xukaro, përkthyese e disa veprave kushtuar Nënë Terezës. Studiuesja arbëreshe hodhi dritë të re mbi figurën madhore të Rregulltares, parë në këndvështrimin e shqiptarësisë së saj.
Më pas u projektua një dokumentar kushtuar Nënë Terezës, vepër e regjisorit shqiptar, Gjon Kolndrekaj. Në ekranin e televizorit që ishte vënë me këtë rast në qendër të sallës, parakaluan pamje të viseve ku shkeli bamirësja e madhe, fytyra të dashura për të, njerëz të jashtëzakonshëm e të zakonshëm, të Kishës e të Shtetit, që e njohën e e vlerësuan veprën e saj madhore.Ishte një pasdite prekëse, që u kujtoi të pranishmëve, me krenari, Atdheun e largët e Flamurin e tij, shpalosur për herë të parë në Vlorë, më 28 nëntor 1912.







All the contents on this site are copyrighted ©.