2007-11-23 18:29:14

Sot Kisha përkujtoi Shën Kolombanin abat.


(23.11.2007 RV)Kolombani është një nga përfaqësuesit e botës monastike, që nisi organizimin e ‘peregrinatio pro Domine’ apo të shtegtimit për Hyjin, një nga faktorët themelorë të ungjillëzimit e të përtëritjes kulturore të Evropës. Nga Irlanda, ku kishte lindur, në vitin 590 kaloi në Francë, pastaj në Zvicër e në Italinë veriore. Krijoi e organizoi kudo bashkësi monastike, për të cilat themeloi një numër të madh kuvendesh. Disa prej tyre, si për shembull manastiri i Lykseil e i Bobios, janë të famshëm për librat e tyre liturgjikë homonimë.
Rregulla e tij monastike është shumë e rreptë. Synon që murgjërit t’i shoqërojnë praktikisht mundimet e Krishtit në kryq, duke munduar trupin e tyre. Praktika monastike e Shën Kolombanit ndikoi shumë për vendosjen e disiplinës pendestare në Perëndim.
Emri Kolomban vjen nga latinishtja e do të thotë ‘i ëmbël’, ‘delikat’.Emblema e Shenjtit është shkopi baritor.








All the contents on this site are copyrighted ©.